Ish-deputeti Gerti Bogdani, i cili ishte njëri prej anëtarëve më të votuar të Kryesisë së re të PD-së i ftuar mbrëmjen e sotme në “Radarin Informativ” në “ABC” i kërkoi opinionit publik që të presë edhe dy ditë për të mësuar vendimin e Lulzim Bashës për fatin e Sali Berishës. “Kur të merret vendimi, le të flasim për vendimin. Meqë po prisni të gjithë, prisni deri të premten, bëni durim, është një vendim i vështirë që duhet të shprehet zoti Basha. Nuk është cështje thashethemi, dita e premte vjen për dy ditë, prisni” u shpreh ai.
Pak ditë më parë, lideri i PD-së zgjodhi ekipin e ri për 4 vitet e ardhshme në përballjet me qeverinë, por a beson Bogdani se është i duhuri? “Besoj dhe shpresoj që po. Padiskutim. Ekipi është i mirë dhe shpresoj që të sjellë, forcimin dhe ringritjen e PD-së. Jo thjeshtë për të mirë të demokratëve, por shqiptarëve” tha ai. Tre janë sfidat kryesore të PD-së, tha Bodgani, reforma kushtetuese, korrigjimi i reformës territoriale dhe zgjedhorja. “Reforma territoriale duhet parë në sesin e qytetarëve dhe jo të votave. Reforma zgjedhore, duhet të ketë një hapje të plotë të listave dhe një sistem më të drejtë. Një listë e hapur e plotë, është shumë më e drejtë. Me axhendën e PD-së, punën dhe mbështetjen e ndërkombëtarëve do të arrihet” tha ai.
Ftesën e Edi Ramës për bashkëpunim pa vija të kuqe, e cilësoi hipokrizi. “Ftesa ishte hipokrite. Vajtja në parlament nuk do të thotë fare bashkëpunim me qeverinë” tha ai. Por cila është strategjia e opozitës kundër qeverisë, dialogu apo do të imponohet me protesta? “Kjo është për t’u parë. PD do të kërkojë ndryshimet kushtetuese, reformën territoriale dhe zgjedhore” deklaroi Bogdani.