Ministri i Brendshëm, Bledi Çuçi, zhvilloi sot një takim me ambasadorin e ri të Britanisë së Madhe në Tiranë, Alastair King-Smith. Çuçi tregon përmes një postimi në Facebook çështjet që diskutoi me të. “Prita sot në takim ambasadorin e ri të Britanisë së Madhe në Shqipëri, z.Alastair King-Smith, me të cilin diskutuam ndër të tjera për bashkëpunimin mes dy vendeve tona në fushën e rendit dhe sigurisë, si dhe vijimin e axhendës së dakordësuar me homologen Priti Patel kur ajo vizitoi Tiranën në muajin korrik të këtij viti.
Asistenca dhe ekspertiza e tyre në ngritjen e kapaciteteve, teknologjinë dhe inovacionin për rritjen e efikasitetit të punës së Policisë së Shtetit janë shumë të rëndësishme për ne. Çmoj shumë edhe gatishmërinë e tyre për të na mbështetur në modernizimin e Institutit të Policisë Shkencore”, shprehet Çuçi. Gjatë vizitës së Ministres së Brendshme të Britanisë së Madhe, Priti Patel, u nënshkrua në Tiranë Marrëveshjen e Ripranimit. Kjo marrëveshje e propozuar nga qeveria britanike pas daljes nga Bashkimi Europian, është e bazuar në modelin komunitar dhe vjen në përputhje me angazhimin e të dy vendeve tona për të frenuar migracionin e paligjshëm.