Nga Artur Ajazi

E ndërsa Lulzim Basha mblodhi Këshillin Kombëtar, dhe akoma nuk është tharë boja e emërimeve hileqare brënda Partisë Demokratike, nga ana e tij Edi Rama kryeministri i vendit, ka mbledhur paraditen e të enjtes Asamblenë e Partisë Socialiste. Në harkun kohor të 7 ditëve, shqiptarët panë dhe dëgjuan të flisnin nga foltorja e partive të tyre, dy kryetarë, krejt të ndryshëm nga njeri-tjetri. E ndërsa i pari, mbledh Këshillin Kombëtar pas 5 humbjeve elektorale rresht, pas disfatave dhe betejave donkishoteske mes tij dhe zërave kundër brënda partisë, duke e trajtuar partinë si plaçkë tregu, i dyti ka një tjetër vizion mbi politikën, qeverisjen, organizimin dhe europianizimin e partisë, mbi baza krejtësisht të reja që do ti sigurojë Partisë Socialiste të ardhmen e mandateve të tjera. Sërish shqiptarët panë dhe dëgjuan nga ekrani dy botëkuptime, pa asnjë përqasje, dy liderë, i pari humbës kronik, i dyti fitues i padiskutueshëm.Përplasja mes tyre nuk është rastësore, ajo është evidente për aq kohë sa një kryetar opozite shkon i ndërgjegjësuar drejt rrënimit politik me “ballin lart”, madje duke shpresuar që një ditë të vijë në pushtet.

Edi Rama u tregoi me fjalimin e tij në Asamblenë Socialiste, se ai është i vendosur ta shpjerë deri në fund misionin e tij, Shqipëria me shtet ligjor, anëtare dinjitoze e Bashkimit Europian. Zoti Rama prezantoi ekipin e ri qverisës për mandatin e tretë, prezantoi emra të rinj plot energji dhe kontribute, prezantoi fituesit dhe jo humbësit. Premtoi epërsi dhe jo zvarritje, Akademi të Partisë Socialiste për brezat e rinj të saj, dhe jo zhytje në llagamin e errësirës. Pas fitores së tretë, Partia Socialiste e Edi Ramës, nga sot po niset drejt një rrugëtimi tjetër, për të hedhur “trasenë” e mandatit të katërt qeverisës. Një politikan që nuk shikon përtej oborrit të partisë tij, dhe merret me theshetheme kulisash, një kryetar partie që “tjerr” gjithë ditën skenare largimesh dhe përjashtimesh, është i destinuar të dështojë. Kurrë më Partia Demokratike,nuk do të ketë shansin të ringrihet dhe ribashkohet, derisa ka në krye një drejtues dritëshkurtër, hakmarrës, cinik, hipokrit, dhe të pabesë. Lulzim Basha do të hyjë në Parlamentin e ri, me një tufë të madhe gabimesh dhe skandalesh politike,duke mos folur për ato korruptive.Ai mbetet politikani amator,dhe eksperimentuesi më i keq i metodave staliniste në Partinë Demokratike. Falë tyre, Lulzim Basha ka shtypur me dhunë fjalën e lirë në parti, idenë dhe mendimin e pavarur, duke futur dhe krijuar tinëzisht brënda saj, një klimë terrori psikologjik ndaj çdo vartësi dhe servili.

Ai nuk mund të përqaset në asnjë kapilar me Edi Ramën, ai nuk mund të krahasohet në asnjë fjali, veprim dhe reagim me Edi Ramën. Kjo është dhe fatkeqësia më e madhe e tij. Përsa kohë, Partia Demokratike të mbajë ulur ritmin dhe vullnetin e riformatimit të saj politik, përsa kohë në kupolën e saj drejtuese do të jenë vegjetuesit e pazareve politike dhe hartuesit e skenareve korruptive, opozita që ata pretendojnë se janë, do të jetë gjithmonë e renditur e para në dështimet dhe humbjet elektorale. Edi Rama ka 8 vjet, dhe vazhdon të “luftojë” me programe zhvillimi, Lulzim Basha vazhdon të humbasë me skenare dështimi. Ndoshta kjo ka bërë dhe bën diferencën mes tyre, duke i bërë shqiptarët më të përgjegjshëm për votën dhe të ardhmen.