Tre ministret e reja të kabinetit të qeverisë Rama 3, Delina Ibrahimaj, Mirela Kumbaro dhe Frida Krifca kanë një sërë sfidash përpara në situatën në të cilën ndodhet ekonomia, turizmi apo bujqësia. Ministret duhet të gjejnë zgjidhje që nga mbetjet dhe plazhet e pandara deri tek mekanika bujqësore dhe amnistia fiskale.

Drejtoresha aktuale e tatimeve Delina Ibrahimaj, e cila shumë shpejt pritet të marrë drejtimin e Ministrisë së Financave, do të përballet me një sërë sfidash pasi situata ekonomike në të cilën ndodhet vendi nuk është aspak normale për shkak të pandemisë.

Edhe pse të dhënat mbi të ardhurat janë optimiste, Ibrahimaj duhet të marrë masa për të nisur konsolidimin fiskal dhe të ulë borxhin publik, që këtë vit do të kalojë shifrën e 80% për shkak të borxheve që janë marrë dhe do të merren në vijim për përballimin e pandemisë dhe financimin e huave të marra. Aktualisht borxhi është 10.5 miliardë euro, ndërsa në vitin që vjen do merret eurobondi tjetër prej 500 milionë eurosh.

Sfida tjetër është vënia në zbatim e ndryshimit të taksës progresive për pagat si dhe rritjen e pagës minimale nga 30 mijë lekë që është tani, në 40 mijë lekë brenda këtij mandati. Por pikëpyetja tjetër që ngrihet është nëse do të realizohet në mandatin e tretë amnistia fiskale, e premtuar prej dy vitesh.

Nga financat tek turizmi. Një nga sektorët më të goditur nga pandemia, ende nuk ka arritur të rikuperojë humbjet e shkaktuara nga mbyllja në vitin 2020. Ndërsa viti 2021 nxori në pah një sërë problemesh që kërkojnë zgjidhje, nga trajtimi dhe menaxhimi i mbetjeve që shoqëroi gjithë verën e këtij viti, për të vijuar me ndarjen e plazheve për privatët, e deri tek rritja e shërbimit dhe e cilësisë në strukturat akomoduese.

Mirela Kumbaro si ministre e re e turizmit do të duhet që përveç problemeve të lartpërmendura do duhet të punojë për paketa rajonale në mënyrë që vendi të arrijë në 10 milionë turistë në këtë mandat të 3.

Bujqësia është sektori me numrin më të lartë të të punësuarve në vend dhe me ndikim kryesor në rritjen ekonomike është në fokus të qeverisë. Nga AZHBR-ja në krye të Ministrisë së Bujqësisë Frida Krifca, sfidën e lënë nga paraardhësja ka rritjen e eksporteve bujqësore me 600 milionë dollarë, nga 400 milionë që janë tani synimi është të arrijnë në 1 miliardë dollar në këtë 4 vjeçar. Po ashtu skemat mbështetëse për fermerët si ajo e naftës, skema kombëtare apo fondet e IPARD do jenë në fokus të këtij dikasteri. Për tu ndalur më pas tek modernizimi i pajisjeve bujqësore, rritja e sipërfaqeve të punuara apo lufta ndaj informaliteti në bujqësi. (Shqiptarja.com)