Me pranimin e afganëve Shqipëria shkroi historinë e saj, ky është një popull me empati të madhe dhe ka hapur dyert për popullin e vendit tim. Përmes këtyre mesazheve gazetarja dhe prezantuesja e njohur e BBC World News Yalda Hakim tregon mirënjohjen e saj për atë që shqiptarët kanë bërë këto ditë për bashkatdhetarët e saj.
Në një intervistë ekskluzive për Report Tv nga Shëngjini ku ka vizituar afganët që organizata e themeluar prej saj shpëroi, Hakim premton se këtë histori, këtë gjest të jashtëzakonshëm të shqiptarëve do t’ia rrëfejë të gjithë botës.
“Kam një djalë 2-vjeç dhe shpresoj një ditë kur të rritet të kthehet në Afganistanin e lirë”, thotë ndër të tjera ai në intervistën për Report Tv.
Dhjetëra gra dhe vajza kryesisht pjesë e universitetit amerikan të vajzave në Kabul jetojnë aktualisht në Shëngjin pasi u shpëtuan fatmirësisht nga fondacioni i gazetares së BBC, Yalda Hakim.
Vetë gazetarja dhe prezantuesja e njohur e BBC World News Yalda Hakim ka zhvilluar sot një vizitë në vendin ku ato qëndrojnë edhe është pritur me mirënjohje dhe respekt nga vajzat. Fondacioni që ajo drejton “The Yalda Hakim Foundation” nxori nga Afganistani i pushtuar nga kaosi disa javë më parë, 59 studentë nga American University of Kabul, bashkë me disa gazetarë, komedianë dhe prezantues radiofonik.
Intervistën e plotë për Report Tv e lexoni më poshtë:
Është dita juaj e parë në Shqipëri?
Po është e vërtetë, është dita ime e parë në Shqipëri. Unë mbërrita me avion në Tiranë mbrëmjen e kaluar dhe jam shumë mirënjohëse për mikpritjen dhe miqësinë që shqiptarët kanë treguar për afganët këtu. Kur Kryeministri shqiptar tha se ju keni qenë ‘afganë’ më parë dhe ne kemi një ‘dhimbje të përbashkët’, kjo është prova nga çdo gjë që po dëgjoj nga njerëzit këtu, se sa mirënjohës janë ata ndaj shqiptarëve.
2 javë më parë ju morët një telefonatë nga një zëdhënës i Talebanëve, i cili ju tha se ata tashmë e kishin fituar Afganistanin! Si e kujtoni atë telefonatë?
Atë natë unë isha duke folur me disa prej këtyre vajzave të reja që janë këtu dhe ato ishin në telashe. Më thanë mua se ishin shumë të frikësuara dhe se talebanët ishin tashmë në portat e Kabulit. Unë po i shkruaja atyre mëngjesin kur Kabuli po binte dhe ata ishin shumë të frikësuara. Ndaj unë i shkrova këtij zëdhënësit të Talebanëve dhe i kërkova të më thoshte se çpo ndodhte dhe se cili ishte qëllimi i tyre, se çdo bënin me Kabulin dhe me të gjithë këta njerëz. Ai më telefonoi mua teksa isha në transmetim live dhe u përpoq të më siguronte se ‘ne nuk do të vrasim askënd, nuk do të sulmojmë askënd’. Por gjithsesi të gjithë këta njerëz vazhdonin të ishin shumë të nervozuar. Rënia e Kabulit ishte ditë tragjikë dhe në kuptuam se ra puna e mrekullueshme e bërë në 20 vite nga shumë njerëz që janë edhe këtu për të ndërtuar vendin e tyre. Ata nuk donin të iknin, donin të qëndronin por rrethanat ishin të tilla që ata duhet të vraponin për të shpëtuar jetët e tyre. Dhe ky ishte një moment shumë i vështirë për të parë.
Në jetën tuaj keni bërë shumë lajme por si do të mund ta shpjegonit me fjalë të thjeshta këtë lajm, këtë histori, për të gjithë njerëzit e botës?
Ju e dini se si është kur bëhet fjalë për vendlindjen tënde. Edhe nëse unë jam rritur diku tjetër. Jam rritur në Australi, kam jetuar 10 vite në Londër por Afganistani është vendi im i lindjes, është vendi nga ku janë paraardhësit e mi, është nga ku është gjaku im. Kështu që nuk mund të ndihesha kurrë e palidhur me vendin apo e shkëputur nga njerëzit. Dhimbja e tyre u bë dhimbja ime. Dhe për këtë arsye bëra ç’munda për t’i ndihmuar ata.
Ne sot kemi 5 vjetorin e shenjtërimit të Nënë Terezës. Ajo pati deklaruar se ‘secili nga ne mund të bëjë gjëra të vogla me dashuri të madhe’. Mendoni se ju bëtë si ajo?
Të marrësh përgjegjësi për jetët e të tjerëve është shumë e vështirë dhe unë nuk jam Nënë Tereza, nuk e imagjinoj se mund të bëhesha ndonjëherë por mendoj se jam një qenie njerëzore me empati. Tamam ashtu si ky vend është. Ky vend po strehon qindra afganë, ata hapën dyert e tyre, hapën krahët e tyre, hapën shtetin e tyre. Udhëtimi nuk ishte i lehtë, ata u përballën me vdekjen në çdo hap por ne donim që të dilnin sa më shpejt të ishte e mundur. Secili nga këta njerëz është i rëndësishëm dhe secili nga këta njerëz ka fuqinë të ndërtojë çfarëdolloj shoqërie. Kanë dashuri për vendin e tyre e duan vendin e tyre dhe jam e sigurt që do jenë aset i jashtëzakonshëm kudo që të shkojnë. Por jemi të gjithë qenie njerëzore tek e fundit dhe në të tilla kriza ose tregon që ke empati dhe do të ndihmosh ose e mospërfill. Por unë nuk mundesha të isha mospërfillëse.
Ju jetoni në një vend të pasur, keni mundësinë të prekni gjithashtu vende të pasura, Shqipëria nga ana tjetër nuk është një i tillë, por është vend bujar e cila ka hapur dyert për afganët në këto momente. A keni një mesazh për këto vende të pasura?
Shiko, kryeministri juaj dha një intervistë në BBC javën e kaluar ku tha: ‘Ne jemi një vend i vogël por kemi zemra të mëdha. Ne nuk jemi vend i pasur por kemi zemra të pasura’. Dhe ai përdori një shprehje shqiptare duke folur për bukë e kripë, ta ndajmë atë me individë të tjerë. Theksoi gjithashtu se dikur kur Shqipëria vuante edhe ai kishte qenë një afgan. Pra mendoj se mesazhi im nuk do shkojë për vendet të cilat nuk pranuan refugjatë por te shqiptarët, që e bënë, hapën dyert e zemrën. Që i kanë bërë këta njerëz të ndihen të mirëpritur, ata janë shumë mirënjohës. Pata mundësinë të flas me ta dhe ajo çfarë përmendnin më shumë ishte bujaria dhe zemra e madhe e njerëzve shqiptar. Thanë për shembull që shkojnë shpesh tek një dyqan i vogël dhe shitësi i thotë të marrin ç’të duan dhe mos shqetësohen për pagesën. Dhe këtë nuk e bëjnë sepse i konsiderojnë si të varfër por si njerëz që kanë kaluar një periudhë të vështirë. Mendoj se fakti që në të tilla momente merr ngrohtësi e dashuri nga njerëz të tjerë, të bën të ndihesh më i sigurt dhe Shqipëria e ka bërë këtë. Ky moment nuk do harrohet kurrë, është moment historik dhe Shqipëria e ka vënë veten në qendër të saj.
Ky udhëtim ndalet këtu apo do të ketë një tjetër për këta njerëz?
Shpresoj që marrëdhënia, shoqëria me Shqipërinë të vazhdojë dhe e di që do të vazhdojë. Unë jam ndier gjithnjë si në shtëpi kur shkoja në Kabul. Jam rritur në Sidney, shtëpia ime është Londra por kur shkoja në Kabul ndieja se i përkisja. Dhe më duhet ta them kur zbrita në Tiranë mbrëmjen e djeshme u ndjeva sikur isha në Kabul.
A mendoni se do të ketë një moment të dytë që njerëzit tuaj pse jo dhe ju të ktheheni në Afganistanin e lirë?
Historia nuk e përsërit veten por rimon. Afganistani e pati një shans pas 11 shtatorit 2001. Shpresoj që ta ketë një tjetër shans të mirë të jetë i lirë. Unë kam një djalë të vogël është 2 vjeç dhe do dëshiroja shumë që një ditë ta shihte Afganistanin e lirë.
Le të shpresojmë dhe shumë faleminderit! Dhe nëse është e mundur ta rrëfeni historinë e marrëdhënieve tona nëpër botë.
Patjetër, në dhamë një intervistë me BBC, folëm me kryeministrin dhe bota është në dijeni të bujarisë së shqiptarëve. Një vend i vogël jo shumë i pasur, por me bujarinë dhe zemrat tuaja të mëdha e keni lidhur historinë tuaj me popullin afgan.