Infektologu nga Spitali i Gjakovës, Afrim Sylejmani, është shprehur i shqetësuar me rritjen e numrit të të infektuarve dhe të hospitalizuarve me COVID-19. Përmes faqes së Shërbimit Spitalor Klinik Universitar të Kosovës, fton qytetarët që të vaksinohen sa më shumë. Ai thotë se vaksina shpëton jetë dhe është e vetmja mundësi për ta fituar betejën me pandeminë COVID-19. “COVID-19 po merr jetën e më të dashurve tanë! Gjendja në spitale dhe klinika është rënduar shumë. Vaksina Shpëton jetë! Ftoj të gjithë, pa dallim, ftoj qytetarët e Gjakovës të vaksinohen sa më shpejt e sa më shumë”, ka thënë për faqen e SHSKUK-së Sylejmani.
Sipas raportit të djeshëm të publikuar nga Ministria e Shëndetësisë, aktualisht kemi janë 26 mijë e 886 raste aktive me koronavirus, kryesisht të variantit Delta, i cili po përhapet me shpejtësi të madhe. Gjithashtu dje janë regjistruar 1 mijë e 383 rasteve të reja të infektimit dhe 26 vdekje.