Kryeministri Edi Rama ka postuar në Facebook dy rrëfime të dy prej vajzave të reja afgane që tashmë janë strehuar në Shëngjiin.
Është vendimi më i vështirë që kam marrë në jetën time se nuk ma merrte mendja se do ta braktisja një ditë vendin tim. Ishte një moment stresues sepse isha një vajzë me ëndrra dhe shpresa për t’u arsimuar– thotë njëra prej vajzave e cila është studente në Universitetin Amerikan në Afganistan.
Të lija pas familjarët e mi është vendimi më i vështirë gjatë 20 viteve të jetës time sepse nuk ishte zgjedhja jonë dhe gjithçka u shkatërrua brenda natës– thotë vajza tjetër e cila po ashtu ishte në ndjekje të studimeve të saj në Afganistan.
Vajzat kanë falenderuar qeverinë dhe Shqipërinë për mikpritjen dhe dashurinë e falur.
I jam shumë falenderuese dhe mirënjohëse qeverisë shqiptare sepse na trajtuan me dinjitet dhe respekt e dashuri– u shprehën ato.
Intervista e plotë:
Ishte vendimi më i vështirë që më është dashur të marr në jetën time pasi nuk më shkonte në mendje që do të largohesha një ditë nga vendim im, por situata e trishtë që ndodhi në Afganistan, më bëri të përballesha vetëm me një zgjedhje, të largohesha nga vendi im, për të qënë e sigurt, për të vazhduar jetën time. Por ishte një moment stresues për mua sepse isha një vajzë me shpresa dhe ëndrra për t’u arsimuar, për t’u diplomuar nga Universiteti.
Do të nisja semestrin e pestë në Universitetin Amerikan të Afganistanit. Kështu që kur ndodhi kjo situatë, gjithçka u shkatërrua. Isha kaq e stresuar pse u shkatërrua vendi im brenda natës sepse gjithçka ndodhi kaq shpejt, por kur mendoj për brezin tim që është ende atje, me një të ardhme të paqartë, më bën kaq të trishtuar pse na ndodhi kjo.
Për mua arsimi shërben për të hapur dyert, për të arritur objektivat e tua, për të pasur një të ardhme të shndritshme.
– A ishte e vështirë për ju të linit shumë njerëz pas? Ndoshta familjen, të afërm, miqtë?
Ishte gjëja më e vështirë që mund të bëja gjatë 20 viteve të jetës sime, pasi të largohesha nga vendi nuk ishte asnjëherë një aternativë për ne, nuk ishte asnjëherë një zgjedhje. Kurrë nuk na e merrte mendja që vendi ynë, apo gjërat që kishim bërë gjatë 20 viteve të jetës sonë, bëmë më të mirën për t’u arsimuar, për t’i shërbyer vendit, të gjithë brezit, por gjithcka u shkatërrua brenda natës.
Kështu që jam shumë falenderuese dhe shumë mirënjohëse qeverisë shqiptare, qeverisë së Katarit sepse na kanë trajtuar me dinjitet, me respekt, na kanë mirëpritur me të gjithë respektin dhe dashurinë që mundën.
– A besoni në premtimin e regjimit të ri, regjimit taleban, që ata do të lejojnë shkollimin e vajzave? A mendoni që ky është një premtim i sinqertë?
Nuk është një vendim që mund ta marrim tani sepse ata ndryshe flasin në publik, në tëitter, në lajme dhe përfundimisht veprojnë ndryshe në terren, në praktikë. Ajo çka dëgjoj nga njerëzit, është që nuk i lejojnë vajzat në klasë të shtatë të shkojnë në shkollë, vajzat mund të shkojnë në shkollë deri në klasën e gjashtë.
Ata kanë frikë nga njerëzit që kanë dije, nëse njerëzit kanë dije, nëse marrin arsimim, ata do të dinë se çfarë është e mirë dhe çfarë është e keqe. Plani është që t’i mbajnë njerëzit në errësirë.
– Në fakt ju jeni mbështetur gjatë viteve të studimit nga Fondacioni Yalda Hakim, i gazetares së famshme të BBC. Si ratë në kontakt me këtë fondacion?
Në fakt unë edhe Nikhbakht para se të nisnim Universitetin Amerikan të Afganistanit, nisëm me kurset plotësuese të gjuhës angleze, të kompjuterit, dhe kur donim të nisnim programin universitar, Yalda Hakim shpalli bursat e saj. Ne aplikuam, e pamë që kualifikoheshim, ne aplikuam, bëmë intervistën dhe ia dolëm që të merrnim bursën e studimit dhe i jam shumë mirënjohëse për të, sepse kur mora këtë bursë, jeta ime befas ndryshoi. Unë kisha probleme financiare dhe jam e sigurt që nuk do ta vazhdoja dot Universitetin pa zonjën Yalda Hakim, pa mbështetjen e saj. Pasi mora këtë bursë, familaj ime ishte shumë e lumtur sepse mund të filloja studimet, sepse isha e stresuar si mund ta paguaja gjithë atë tarifë, si mund të vijoja studimet universitare. Kështu që në moment mendova që jam tamam tek momenti që ëndërroja, që mendoja, dhe ishte vetëm falë fondacionit të Yalda Hakimit që na ndihmoi në çdo sekondë.
Ëndrra ime më e madhe është arsimohem, të mbështes veten, familjen time dhe të gjithë shoqërinë time. Ëndrra ime është që vendi im një ditë të jetë i paqtë, që ne lehtësisht të kthehemi, të mbështesim brezat e tjerë që vijnë pas nesh. Ëndrra ime është që një ditë vendi im të jetë i paqtë.