E ardhmja e tij në stolin e Barcelonës është më e pasigurt se kurrë, por Ronald Koeman është i bindur se problemet ishin aty, në klubin katalanas prej kohësh. Tekniku holandez, në një intervistë të dhënë së fundmi deklaroi se deri në momentin e largimit të tij, ishte Messi që maskonte problemet, duke lënë të kuptohet se mangësitë e klubit blaugrana nuk dilnin në pah vetëm në sajë të kualitetit dhe të efikasitetit të yllit argjentinas.
Trajneri i Barcelonës foli në një intervistë për të përditshmen holandeze “Voetball International”, në të cilën nuk fshehu edhe pengun e tij që la kombëtaren para zhvillimit të kampionatit europian. “Do të më pëlqente ta luaja atë turne me grupin. Ishte një rast i madh, por edhe duke e ditur se sa e vështirë është tani situata te Barcelona, nuk do të kisha vepruar ndryshe. Në këto lloj situatash ia dal të marr më të mirën nga vetja ime dhe nga skuadra”, deklaroi holandezi.
Është kjo deklarata e Koeman, ndërkohë që mediat spanjolle dhe jo vetëm, flasin për një raport të tensionuar mes tij dhe Presidentit Laporta. Sipas tyre arsyeja e vetme e qëndrimit të Koeman është kostoja financiare që do të sillte pushimi i tij e po ashtu edhe angazhimi i një trajneri tjetër. Në listën e emrave për pasuesin e tij, që nuk ka munguar si gjithmonë në mediat iberike, spikat edhe ai i italianit Andrea Pirlo.