Përplasja e madhe në Partinë Demokratike ka ndarë forcën më të madhe të opozitës në dukje në dy kampe, pro dhe kundër Bashës, pro dhe kundër Berishës. Nga njëra anë Basha me përkrahësit e tij që kanë selinë dhe vulën zyrtare të PD-së, nga ana tjetër Berisha dhe besnikët e tij që kanë dalë e po i rrotullohen Shqipërisë në një tur që synon të përmbysë Bashën, më shumë se sa vendimin për përjashtimin e ish kryeministrit dhe ish kryetarit të PD-së nga grupi.
Por a është vetëm kështu panorama në Partinë Demokratike? Në fakt kjo është vetëm fasada. Në zyrat e PD-së, Lulzim Basha, që u sorrollat më së koti tre muaj për të mbërritur në pikën e fillimit, përjashtimin e Sali Berishës nga grupi parlamentar, tani është më i qarti sa i përket lëvizjeve që duhet të bëjë. Ai ka grupin më kompakt, ata që e mbështesin për pragmatizëm sepse ai është kryetari, ai merr vendimet dhe ai udhëheq opozitën, ata që vërtet shohin se një kurs përplasjeje me SHBA-në do të groposte përfundimisht PD-në për vitet që do të vijnë, si edhe të gjithë ata që realisht mendojnë se koha e Berishës në PD ka përfunduar dhe partia duhet të ndahet nga trashëgimia e tij. Në anën tjetër Berisha po luan mbi emocionin e bazës së partisë, duke shtrembëruar optikën nga ku duhet të shihet përplasja e tij me Amerikën dhe duke folur për një armiqësi personale të një personazhi si Xhorxh Soros ndaj tij dhe jo si një politikë shtetërore amerikane. Ndjekësit e tij janë disa kategori që kanë vetëm një të përbashkët, dhe shumë të kundërta për të qenë së bashku.
E përbashkëta është se ata janë kundër Lulzim Bashës për arsye nga më të ndryshmet, që nga parimet deri tek interesat. Janë ata që në këto tetë vite opozitë kanë qenë përballë Bashës dhe Berishës sepse ata vodhën zgjedhjet brenda Partisë kur Basha u zgjodh kryetar, që e kanë votuar kundër që në 2013 dhe i kanë qëndruar përballë deri sot. Janë ata që e kanë mbështetur atë sepse atë mbështeste Berisha, jo sepse vërtet besonin te Lulzim Basha, por që kanë dalë njëri pas tjetrit jashtë sepse Basha u ka treguar me cinizmin dhe ftohtësinë e një killeri derën duke i përjashtuar nga listat e deputetëve, në 2017 apo 2021, nga forumet e partisë dhe nga çdo vendimarrje e brendshme, duke i bërë pakënaqur. Janë edhe ata nostalgjikët që i kanë qëndruar besnikë Berishës edhe pas deklinit të tij këto tetë vite dhe do të vazhdojnë ti qëndrojnë deri sa ai të marrë frymë.
Nëse këta të fundit gdhihen dhe ngrysen vetëm me Sali Berishën në mëndje dhe në zemër, të gjithë të tjerët Sali Berishën e shohin si një mjet dhe si një mënyrë për të hequr qafe Lulzim Bashën. Rrëzimi i Lulzim Bashës për ta është mundësia e artë, që për disa partia ti kthehet parimeve dhe për të tjerë që ata ti kthehen partisë dhe pushtetit brenda saj. Në fakt Lulzim Basha nuk ka bërë tjetër vetëm se ka kopjuar Sali Berishën, ka fshirë nga rruga e tij këdo që mund të ishte kërcënim për pushtetit personal, këdo që e kundërshtonte apo nuk i bindej dhe këdo që nuk i shërbente apo hynte në punë. Në listën e deputetëve të përjashtuar – pa hyrë në llogarinë e personazheve të përjashtuar në parti – Sali Berisha mban rekordin në këto 30 vite, me vendime personale, njësoj sikur Basha bëri për të.
Prandaj edhe lëvizja e Berishës për të kthyer dinjitetin dhe sovranitetin e partisë është e cënuar që në nisje. Por ky është problem tjetër, problemi kryesor është se çfarë do të ndodhë me PD dhe ku po shkon ajo? Edhe sikur të heqim nga ekuacioni faktorin SHBA, ka dy rrugë ku mund të çojë kjo përplasje, në vrasjen përfundimtare politike të Sali Berishës apo në të kundërtën, rrëzimin e Lulzim Bashës. Ka edhe një të tretë që ndoshta është më realja në çarjen e PD-së, fraksionimin e saj në dy apo disa parti, nga e cila ndoshta nuk do të fitonte Lulzim Basha, por mund të përfitonte Sali Berisha. Atij i duhet një mburojë politike në Kuvend, një parti për imunitetin e tij dhe të familjes, por që ndoshta nuk do ti mjaftonte nëse kjo nuk do të kishte peshë reale politike. Prandaj edhe Berishës i duhet një parti e madhe, një opozitë që është aty, gardh rreth tij, edhe pse pa atë kryetar, por që do të hidhej edhe në zjarr në betejat e tij qoftë me SHBA, qoftë më këdo tjetër në tokë dhe jashtë tokës, sepse vetëm në këtë mënyrë do të mund ti thoshte kujtdo që ai është aty, në të mirë apo në të keq, gati për të ardhur sërish në pushtet qoftë edhe falë aksidenteve politike apo elektorale, të cilat historia i njeh që kanë ndodhur edhe më parë në botë.
Ndoshta PD me Bashën nuk mund të vijë dot në pushtet as pas katër vjetësh, por rrëzimi i Lulzim Bashës mund të çojë sërish PD-në në vitin 2013, me historinë që përsëritet, me zgjedhje sërish të manipuluara brenda partisë, një kryetar kukull të Berishës dhe një parti që nuk do të ndahej nga berishizmi si filozifi thjesht dhe vetëm për të mbrojtur ish kryetarin e saj historik. Një PD e tillë nuk i bën mirë as vetë demokratëve dhe as shqiptarëve në tërësi. Një opozitë që synimin kryesor ka të mbrojë ish kryetarin dhe jo të qeverisë dhe përmirësojë jetesën e shqiptarëve është kthim në të kaluarën dhe jo vështrim nga e ardhmja. Eshtë e vështirë për të mos thënë e pamundur ajo që romantikët e PD-së mendojnë se rrëzimi i Bashës do të sjellë hapjen e PD-së, qoftë edhe duke kaluar përmes disa fazave dhe zgjedhjen e nje kryetari real që do të mbledhë partinë, do të frymëzojë fillimisht bazën dhe do të krijojë frymën e duhur për të ardhur në pushtet. Historia e PD-së nga 1992 e deri tani ka treguar të kundërtën.
Prandaj lojrat e luftës që po zhvillohen brenda dhe jashtë oborrit të Partisë Demokratike nuk do të nxjerrin demokratët e thjeshtë fitues, në asnjë prej rezultateve dhe me asnjë prej protagonistëve. Hapjen dhe demokratizimin e PD-së nuk e bën dot Basha, por e sigurt që kjo nuk do të mund të vijë as nga Berisha. Dikur do të ndodhë, por jo si një proces i sfrocuar. Do të vijë natyrshëm kur njerëzit të kuptojnë që emocionet dhe simbolet e të shkuarës nuk të sjellin në pushtet. Të shpresojmë brenda këtyre katër viteve. Berishës i ka ikur koha 8 vjet më parë, Bashës i ka mbaruar pas 8 vjetësh. Pazaret me qeverinë vetëm mund t’ia shtyjnë mbretërimin në zyrat e SHQUP-it. (Gazeta SI)