Nga Ylli Pata/ Nervat e rëna në kupolën e lartë të Partisë Demokratike tregojnë se sipas të gjitha gjasave forca më e madhe e opozitës do të përjetojë më shumë shpejt se vonë, një furtunë të brendshme, si pasojë e shumë lëvizjeve centrifugale që kanë lindur nga hapja e kutisë së pandorës” nga SHBA.
Përplasjet me Agron Shehajn, Gjekmarkajn, rrjedhjet e lajmeve, paqartësia e inati, duket se janë më shumë konteksti e pasoja, sesa një vijë logjikë se si mund të rrjedhim gjërat në PD.
Në këtë atmosferë, kur Fatbardh Kadilli ishte ndër të vemtit njerëz Brenda PD-së që pas shpalljes Non Grata të Sali Berishës dhe përjashtimit nga grupi mbajti qëndrim të qartë, komentet e para ishin se ishte një zë në “shkretëtirë”.
Një qëndrim e mendim i vetmuar, që nuk duket se ka gjasa që të mbijetojë në PD-në e cila është polarizuar me Bashën e lodhur e me “Foltoren” që i vinte opozitarëve si një zgjidhje e “dhunshme” me detyrim përcaktim: O me ne ose me Lulin.
Por dalja në dritë e Kadillit me një grup njerëzish që vërtetë janë të pakënaqur me Lulzim Bashën, por që nuk përkrahin “Foltoren” që kërkon të tërheqë pas vetes çdo zë me hir a me pahir, duket se ishte realisht zhvillimi i ri.
Në atë grup që Kadilli shfaqi së bashku me IDE-në e tij dhe logjikën e shpalljes në publik, u panë disa emra të njohur brenda strukturave të PD-së deri dje, por edhe
Personazhe që njihen si opozitarë e të djathtë, që e kanë mbrojtur publikisht Partinë Demokratike, por që nuk u afruan asnjëherë si pasojë e frikës së Bashës për të hapur partinë.
Një zhvillim i qartë , i cili sipas të gjitha gjasave vjen si një panoramë plus në pamjen e sotme të lëvizjeve frenetike Brenda opozitës.
Dalja e Berishës në skenë për të rrëzuar Lulzim Bashën, fill pas përjashtimit të tij nga grupi dha një efekt të fortë: provokoi disa nga figurat që u panë si mundësi e ndryshimeve në PD. Që nga Nishani, Edith Harxhi, e deri tek Jozefina Topalli, të cilët përkrahën fort Sali Berishën e foltoren e tij, duke u kthyer në bazën e vjetër. Madje zonja Harxhi deklaroi hapur se nëse ajo zgjidhej kryetare Sali berisha do të rikthehej si anëtar i grupit parlamentar të PD-së.
Pikërisht këto qëndrime, i dhanë grupit që para zgjedhjeve për kryetar partie u shfaq si i kolauduar një goditje që e shkërmoqi atë. “Foltorja” i eklipsoi, duke i detyruar të jenë pjesë e një loje, ku zgjedhjet nuk janë të shumta, e përveç luftës me Lulzim Bashën duhej të rreshtoheshe nën “armatën e doktorit”.
Ndryshe nga e gjithë kjo, lëvizja e Fatbard Kadillit i qëndron përballë Lulzim Bashës, si një rivale, por realisht si aleate në përplasjen që kreu i PD-së ka me Sali Berishën.
Në lidhje me këtë të fundit, jo vetëm Kadilli, por edhe pjesëtarë të tjerë të grupit të tij si Ristani apo edhe Eno Bozdo së fundmi kanë qenë më të qartë se vetë Lulzim Basha.
Po a mund të ndikojë apo të ketë peshë në PD lëvizja e Kadillit? Natyrisht ai grup është më shumë një bashkim personazh me qëndrim të përafërt, e jo zyrtarë partie që ka në dorë strukturat e PD. Ata i kontrollon Lulzim Basha që ka vulën e partisë, por edhe Sali Berisha prej influencës së tij vertikale dhe të rëndësishme.
E megjithatë, Lulzim Basha, ka mundësinë e shansin që ta nxjerrë veten nga këndi i ringut ku po synon ta vendosë “Foltorja”. Duke hapur një process politik, e o farzë zgjedhjesh të trukuara në parti. Të hapë PD-në pikërisht për debatin mbi Sali Berishën dhe betejës së tij me SHBA-në. Politikisht, Basha e Kadilli, duket se i bashkon përveq qasjes për të zgjedhur Perëndimin përpara Berishës, edhe qëndrimi pro reformës në drejtësi.
Ndërkohë, Sali Berisha, çdo ditë ka pastime që shpreh kundërshtimin e tij të hapur ndaj të gjitha aksioneve apo edhe institucioneve të drejtësisë së re, që e quanë “reforma sorrosjane”, ndërsa Meta e cilësonte deri pak kohë më parë “Ramaforma”.
E realisht përmbajtja, e jo forma është mundësia për kohezion ndërmjet faktorëve të një gare apo zhurme frenetike që po ndodh brenda opozitës.
Më shumë se statute është thelbi i betejës politike që duhet të ndërmarrë dhe zgjedhjet që duhet përfaqësojë opozita pas ndëshkimit të Sali Berishës.
Edhe pse e kanë sulmuar njëri-tjetrin për vdekje kohët e fundit, Basha me grupin që shpalli Kadilli politikisht duket se konvergojnë më shumë se ndahen.
Ndryshe me “Foltoren”, e cila kërkon të rrëzojë Lulzim Bashën vetëm për të rikthyer Berishën brenda grupit të PD-së, dhe kundërshton si reformën në drejtësi, si paktin me PS-në për KLGJ-në, KLP-në, kreun e ri të SPAK si pasojë e mbarimit të mandatit të Krajës, apo edhe sulmit ndaj SHBA-së.