Ministri i Drejtësisë, Ulsi Manja deklaroi sot se qeveria i hapi rrugë marrëveshjes së ekstradimit mes Shqipërisë dhe Spanjës.

Pas përfundimit të mbledhjes së qeverisë, Manja tha se, “kjo marrëveshje është shenjë e besimit të fortë ndërmjet autoriteteve gjyqësore mes dy vendeve tona. Natyrisht, Shqipëria ka patur dhe ka bashkëpunim me Mbretërinë e Spanjës në fushën penale dhe sot, por ky bashkëpunim bazohet në Konventën Evropiane të Ekstradimeve të vitit 1957. Nëpërmjet kësaj marrëveshjeje të re, që nënshkruajmë sot me Spanjën, ne eliminojmë një pengesë ligjore që ekziston në bashkëpunimi ndërmjet dy vendeve tona dhe ka të bëjë me rezervën ligjore të cilën Shqipëria e ka ratifikuar Konventën Evropiane për Ekstradimin, për moslejimin e ekstradimit të shtetasve shqiptarë drejt Spanjës dhe anasjelltas”.

Manja sqaroi se “nëpërmjet kësaj marrëveshje eliminohet kjo pengesë ligjore dhe tashmë me Mbretërinë e Spanjës autoritetet gjyqësore do të lejojnë ekstradimin e shtetasve reciprokë”.

“Kjo marrëveshje ka për qëllim forcimin e bashkëpunimit mes autoriteteve gjyqësore ndërmjet dy vendeve tona, të përmirësojë institutin e ekstradimit të shtetasve të dy vendeve tona, pse jo është një instrument shtesë në marrëdhëniet juridiksionale në fushën penale ndërmjet dy vendeve tona dhe një sinjal i qartë për botën e krimit, që çdo shtetas shqiptar që kryen një krim në shtetin e Spanjës nuk mund të gjejë strehë në Shqipëri dhe anasjelltas, çdo shtetas spanjoll që kryen një krim nuk mund të gjejë vend në Shqipëri përveç se t’i nënshtrohet drejtësisë. Pra është një mesazh i qartë për botën e krimit në marrëdhëniet tona në fushën penale me Mbretërinë e Spanjës”, tha Manja.