Ish-prokurori dhe drejtuesi i Këshillit të Prokurorëve, Shkëlqim Hajdari i ftuar në emisionin “Top Talk”, në Top Channel ka folur për dënimin me 2 vite burg të ish-Prokurorit të Përgjithshëm, Adriatik Llalla. Sipas Hajdarit dënimi i Llallës shihet si një sukses i Reformës në Drejtësi dhe nga ana tjetër ka njerëz të përgjegjshëm që kanë punuar për shtetin shqiptar dhe sot janë të trishtuar se kanë kuptuar që çfarë njeriu kanë prodhuar dhe e vunë që të drejtonte organin e akuzës siç ishte Prokuroria.
Hajdari: Beteja që u bë nga shoqata e Prokurorëve që me ardhjen e Adriatik Llallës në krye të Prokurorisë dhe deri me shpërthimet publike ndaj sjelljes së tij është një shqetësim shpirtëror sepse me sjelljen e tij ai i bëri Prokurorisë shqiptare gjithë ato dëme sepse një zyrtar i lartë nuk ka rëndësi se sa dëme i shkakton vetes së vet, por se çfarë dëmesh i bën institucuionit. Kam qenë i bindur atëherë që denoncimin e personit në fjalë nuk e kam bërë duke u nisur nga arsyeja personale, por duke dashur që organi i prokurorisë të mos përfundonte në mandatin e tij siç përfundoi.
Dënimi djeshëm është i dyanshëm. Nga njëra anë njerëzit që kanë besuar te reforma që u në e thellë në drejtësi janë shpresëplotë që ky do shërbejë si një orgur i mirë për të goditur në të ardhmen edhe zyrtarë të lartë të korruptuar, ashtu sikundër njerëz të përgjegjshëm që kanë punuar për shtetin shqiptar janë të trishtuar se kanë kuptuar që çfarë njeriu kanë prodhuar dhe e vunë që të drejtonte organin e akuzës siç ishte Prokuroria. E prodhoi politika, por të paktën zotëria nuk justifikoi qenien minimale të disa parimeve që duhet të ketë një Prokuror i Përgjithshëm.
Është Llalla një produkt i një lobimi Berisha-Meta në krye të Prokurorisë? Hajdari: Kjo është e sigurtë dhe konkrete sepse bashkimi i këtyre dy forcave prodhoi prokurorin në fjalë. Të gjithë shqiptarët bien dakord që pas ndryshimeve të 2008 partitë kanë kthyer në parti të kryetarëve.