Nga Aranit Muraçi/Gjatë dhe pas përfundimit të mbledhjes së fundit në selinë e Partisë Demokratike, ish- ministri i Brendshëm, Flamur Noka, ka prishur ‘qetësinë dhe rendin publik’, duke u përplasur fillimisht me kryetarin Lulzim Basha, dhe më tej, në korridoret e selisë edhe me deputetin Ervin Salianji (duke qenë se ai vazhdon të jetë kategorikisht kundër përjashtimit të Berishës).
Basha ka këmbëngulur sërish, duke e mbrojtur si të drejtë vendimin, ndërsa është shprehur se Berisha i ka të qarta akuzat që i janë ngritur nga SHBA, prandaj edhe çdo përpjekje e tij dhe e mbështetësve të PD-së në bazë, do të konsiderohen ‘përpjekje anti-amerikane’. Në këto kushte, nëse nuk do të distancohej, Basha iu ka thënë deputetëve se PD-ja rrezikonte të shuhej dalëngadalë si një parti antiamerikane.
Mes deputetëve të paktë dhe më të pabindur ndaj Bashës (bëhen pesë bashkë me Berishën) është Flamur Noka, i cili e quajti sërish tradhti vendimin e Bashës. Megjithëse të paktë në numër përkrahësit e Berishës besojnë se kanë bazën.Është shmangur edhe një konflikt fizik mes tij dhe Salianjit, pas mbledhjes. Në fakt kryeministri Rama i bëri thirrje disa herë para dhe pas zgjedhjeve Bashës që të distancohej nga Sali Berisha dhe Ilir Meta, për të nisur një bashkëpunim mes tyre, me qëllim lehtësimin e integrimit të Shqipërisë në BE. Pikërisht, thirrja e Ramës ka ngritur dyshime të forta në PD.
Siç edhe tregoi rrjedha e ngjarjeve, Rama ka qenë në dijeni të fatit që do të kishte Berisha dhe Meta që para zgjedhjeve. Presidenti i shkarkuar nga Kuvendi pas shkrirjes së LSI dhe shpalljes ‘non grata’ të Berishës ka kuptuar që tani është radha e tij, ndaj edhe ka ndryshuar kurs, duke u zbutur si me ‘magji’ me dëshirën ende të pashprehur zyrtarisht, për një kompromis politik me mazhorancën.
Ndërsa me përjashtimin e Berishës PD-ja po shkon, siç pritej, zyrtarisht drejt ndarjes. Një pjesë që beson Berishën (më pak në kryesi, shumica fanatikët e bazës) dhe një pjesë Bashën (shumica e deputetëve dhe të moderuarit). Por ka edhe një pjesë asnjanëse, që po luan rolin e spektatorit (kryesisht të larguarit ose të pakënaqurit me të dy palët), ndoshta janë duke u bërë gati të aktivizohen për të përfituar nga ‘lufta’ Berisha-Basha, me qëllim krijimin dhe drejtimin e një opozite të re.
Lufta në fakt po zhvillohet për logon dhe selinë. Berisha nga fryma që krijoi në atë parti e konsideron atë pronë ndaj dhe beson se logoja dhe selia i takojnë atij, kështu që Basha dhe mbështetësit e tij duhet të largohen dhe të krijojnë parti të re, pasi në PD nuk kanë më punë që kur kapitulluan përballë presionit amerikan, duke lënë ‘pronarin’ në baltë. Me partinë pas tij, Berisha beson se do ta detyrojë SHBA-në të tërhiqet nga akuzat që i ka ngritur.
Kjo është arsyeja pse ish-kryeministri Sali Berisha zbret në bazë, ku do të nisë fushatën për shkarkimin e Lulzim Bashës. Berisha e ka quajtur antistatutor vendimin e kryetarit të PD-së dhe cënim të sovranitetit të partisë që ai ka drejtuar për 22 vite, ultimatumin e SHBA-së që detyroi Bashën të merrte vendimin ekstrem. Megjithëse, Berisha u pezullua me të njëjtën formë përjashtimi që ai përdori për kundërshtarët e tij në atë parti gjatë gjithë karrierës, kur PD-ja drejtohej prej tij.
Berisha jo më kot ka zgjedhur ta nisë turin në Fier, një qark ku PS-ja fiton bindshëm edhe ku nuk ka nevojë të bëjë as fushatë. Por do ta ketë të kotë të gjithë përpjekjen, sepse edhe nëse shkarkohet Basha nga partia, vështirë se gjen ndonjë shans për mbijetesë politike. Historia e viteve të fundit na njeh me faktin se të gjithë udhëheqësit autoritarë (Milosheviç, Husein, Gedafi) kur kanë shpërfillur paralajmërimet amerikane, e kanë vazhduar luftën kundër SHBA-ve, për aq kohë sa kanë qenë në pushtet.
Të gjithë e kanë humbur betejën me SHBA, përveç rasteve si në Siri apo Afganistan, ku siç dihet, u futën në lojë rusët që ndihmuan talebanët dhe Asadd-in. Ndryshon situata në Shqipëri sepse vendi ynë është në NATO dhe nuk ka ushtri, kurse Berisha nuk është as në pushtet dhe nuk ka aktualisht as parti.
Prandaj edhe në PD situata do të jetë konfliktuale, për aq kohë sa Berisha të ‘kuptojë’ se për çfarë dhe kundër kujt po lufton, në të kundërt partia më e madhe opozitare do të ndahet në dy fraksione, pa përjashtuar edhe rivalitetin nga një palë e tretë. Nëse kjo ndodh logoja rrezikon të zhvlerësohet deri në atë masë, sa selia e re të ketë të fatin e godinës së vjetër, por me një ndryshim: Meta nuk do të jetë më President, që ta mbrojë qoftë edhe fizikisht.