Menjëherë pas krijimit të Ministrisë së Shtetit për Rininë dhe Fëmijët, kabineti i ri qeveritar i Kryeministrit Rama e nis mandatin e tretë me miratimin e projektligjit për “Statusin e fëmijëve nën përkujdesjen e Republikës”.
Sipas Kryeministrit kjo masë e posaçme ligjore vjen me një kujdes të veçantë dhe me mbështetje financiare dinjitoze për gjithë ata fëmijë të mitur të individëve që me akte të rralla vetëmohimi kanë dhënë jetën për mbrojtjen e territorit, të interesave kombëtare, të jetës së tjerëve, pronës publike apo në raste të fatkeqësisë natyrore apo gjendjeve të jashtëzakonshme në ndihmë të popullsisë.
Kategoritë e fëmijëve dhe të rinjve, nën moshën 18 vjeç që përfitojnë nga ky projektligj përfshijnë fëmijët apo personat që kanë qënë nën kujdestari të një personi me statusin “Dëshmor i atdheut”, të mjekëve, infermierëve apo personelit mbështetës që ka humbur jetën si rezultat i koronavirusit, të cilët janë infektuar gjatë apo për shkak të kryerjes së detyrës në institucionet e specializuara të spitalit COVID-19, të një prindi që ka humbur jetën në përpjekje të mbrojtjes së pronës publike ose për shpëtimin e mbrojtjen e jetës së të tjerëve, të një prindi që ka humbur jetën si pasojë e kryerjes me përgjegjshmëri të funksionit e të detyrës publike në mbrojtje të rendit publik, apo në kushtet e gjendjes së jashtëzakonshme apo fatkeqësive natyrore.
Sipas tij, personat që u përkasin kategorive përfituese do të përfitojnë gjithashtu, pavarësisht nëse prindi e ka humbur jetën para hyrjes së këtij ligji, ndërsa fëmijët e mjekëve, infermierëve apo personelit shëndetësor, do të trajtohen me prapaveprim.
Kryeministri Rama deklaroi se këta fëmijë do të marrin një status të veçantë, “Statusin e fëmijëve nën përkujdesjen e Republikës” dhe deri sa të arrijnë moshën 18 vjeç ata do të marrin rrogën e plotë të prindit që kanë humbur.
Kjo është hera e parë që një qeveri shqiptare trajton në mënyrë kaq të vëmendshme dhe me përkujdesje kaq të veçantë fëmijët e vendit, pas të gjitha veprimeve të marra në dy mandatet e mëparshme të qeverisë, duke ringitur institucionin e Bonusit të bebes, mbështetjen financiare duke mundësuar tekste shkollore falas për të gjithë fëmijët e kategorieve në nevojë që nga klasa e parë deri në përfundim të ciklit fillor dhe pas të gjitha investimeve që janë kryer e po kryhen në shkollat e kopshtet në të gjithë vendin apo në ngritjen e qendrave dhe krijimin e hapësirave për edukimin dhe argëtimin e fëmijëve e të rinjve të Shqipërisë.