OKB-ja vendosi të organizojë një konferencë për mbledhjen e gati 600 milionë dollarëve për Afganistanin me shpresën se këto fonde do të ndihmojnë të shmanget kriza humanitare që kërcënon këtë vend pas marrjes së pushtetit nga talebanët.
Në konferencë marrin pjesë Sekretari i Përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara, Antonio Guterres, zyrtarë tjerë të lartë të OKB-së dhe mbi 40 ministra, pritet të marrin pjesë në konferencën në Gjenevë, Zvicër. Zyrtarët tjerë pritet të bashkohen përmes versionit online. Edhe para marrjes së pushtetit nga talibanët, gjysma e popullsisë në Afganistan varej nga ndihmat. Thatësia e madhe si dhe mungesa e parave të gatshme dhe ushqimit, kërcënon ta përkeqësojë situatën, kanë paralajmëruar zyrtarë të OKB-së dhe grupe për ndihma.
“Tani nis gara kundër kohës për të dorëzuar ndihmën tejet të nevojshme për popullin afgan”, tha Anthea Webb, zëvendësdrejtore rajonale në Programin Botëror të Ushqimit. Komisionari i OKB-së për Refugjatë, Filippo Grandi, paralajmëroi më herët se “rikthimi i luftimeve, shkelja e të drejtave të njerëzve dhe shkatërrimi i ekonomisë dhe shërbimeve bazike sociale”, mund të rezultojë me më shumë largime të afganëve jashtë vendit. Aktualisht, pjesa më e madhe e aseteve të Bankës Qendrore të Afganistanit, në vlerë të 10 miliardë dollarëve, janë bllokuar nga autoritetet e huaja.