Vendimi i autoriteteve të Kosovës për të zbatuar masa reciprociteti ndaj automjeteve me targa të Serbisë, që hyjnë në Kosovë, ka nxitur protesta të banorëve serbë në veri të Kosovës dhe reagime të ashpra të Beogradit zyrtar.
Përfaqësues të Serbisë thonë se Kosova, me këtë veprim, ka shkelur dispozita të Marrëveshjes së Brukselit të arritur mes dy vendeve me ndërmjetësimin e Bashkimit Europian. Por Prishtina zyrtare thotë se është duke vepruar pikërisht në këtë përputhje me këtë ujdi. Atëherë, si qëndron e vërteta?
Marrëveshja për lirinë e lëvizjes midis Kosovës dhe Serbisë u arrit në vitin 2011 në Bruksel. Me këtë dokument, targat serbe me shenjat e qyteteve të Kosovës, si PR (Prishtinë), GL (Gjilan) KM (Mitrovicë), janë hequr. Që do të thotë se automjetet me targa të tilla janë regjistruar sërish sërish me RKS (Republika e Kosovës) ose me status neutral – KS (Kosovë), sqaron REL.
Por, pavarësisht saj, në katër komuna me shumicë serbe në veri të Kosovës, qytetarët kanë vazhduar të qarkullojnë me targa të qyteteve në Kosovë, të lëshuara nga Ministria e Brendshme e Serbisë.
Shtetasit kosovarë nga ana tjetër nuk mund të hynin pa shpenzime në territorin serb me targa RKS, dhe u është dashur t’i zëvendësojnë ato me targa të përkohshme. Tani në 15 shtator, skadoi dhe afati 5 vjecar me të cilin Kosova ishte pajtuar në 2016-tën kur dhe u finalizua marrëveshja për të zgjatur vlefshmërinë e targave KS.