*Një pjesë nga fjalimi i Ramës në Kuvend

Ne do të mbështesim gjithashtu me të gjitha forcat rritjen e mëtejshme të kapacitetit digjital të këtij vendi, qoftë për të mbyllur ciklin e shërbimit me dokumente për qytetarët dhe sipërmarrjen, duke mbyllur përfundimisht sportelet e shërbimeve dhe duke e transferuar krejt sistemin e shërbimit të dokumenteve në smartphonin dhe në kompjuter, qoftë për të hyrë në një fazë të re zhvillimi dhe shtrije të teknologjisë digjitale, duke nisur nga riformatimi tërësor i mësimit të informatikës në shkollë dhe duke vijuar me stimulimin e kapitalit njerëzor për ekonominë digjitale përmes krijimit të një zinxhiri hapësirash për marrjen e njohurive të avancuara kompjuterike, përkatësisht kodimin, por jo vetëm, që të rinjtë tanë të mbështeten sa më mirë për të hyrë në tregun global të punësimit cilësor online pa patur nevojë të lënë Shqipërinë.

Për të garantuar një stimulim të qenësishëm të sektorit të teknologjisë digjitale, ne do të vëmë në dispozicion të kompanive një garanci sovrane prej 50 milionë eurosh si dhe 10 milion euro mbështetje buxhetore në funksion të këtyre hapësirave edukimi të avancuar informatik të të rinjve dhe për start up.

Shkolla, universiteti, kultura, sporti për të gjithë do të jenë në këtë mandat të ri qeverisës një drejtim ku do të investojmë me energji dhe me ide të reja për të krijuar më shumë kushte për rritjen e kapitalit të paçmueshëm njerëzor të më të rinjve të kësaj shoqërie, duke filluar nga fëmijët, të cilëve do t’iu përkushtohemi me një ofertë të re ndërsektoriale një pjesëz e vogël e së cilës është dhe nisja qysh këtë vit shkollor e mësimit të anglishtes qysh nga klasa e parë fillore në të gjitha shkollat e Shqipërisë. Dy programe të reja kombëtare ai për artet dhe zejet dhe ai për sportin do të hynë në rrugën e zbatimit në shkollat tona ku duam që fëmijët, jo vetëm të marrin lëndët mësimore, tanimë me librat cilësorë të shtëpive botuese prestigjioze të Oxfordit, Cambridge, Pearsonit dhe falas, por as vetëm të edukohen cilësisht me përkatësinë e gjeneratës së tyre ndaj botës digjitale, por dhe të zhvillojnë talentet dhe njohuritë që lidhen me botën reale, me pasuritë dhe vlerat e tokës dhe të natyrës sonë, me punën e dorës, me veprimtaritë prodhuese, me praktikat dhe traditat e zejtarisë, me lëvrimin e fushave të krijimtarisë artistike, si dhe me aktivitetin fizik dhe me sportet kolektive. Pjesë e pandashme e kësaj faze të re për shkollën do të jetë patjetër dhe rritja e mëtejshme e nivelit të edukatoreve dhe mësuesve. Përdora gjininë femërore sepse shumica dërrmuese e tyre janë gra dhe vajza, por natyrisht barabartë do të projektohen edhe burrat edhe djemtë. Do t’i mbështetim pa kursim kujdestarët publik të fëmijëve tanë, qoftë në aspektin profesional, qoftë dhe në atë financiar.

Qëllimi ynë është që edhe me arsimin e lartë ku jemi më mbrapa me zbatimin e reformës sesa me parauniversitarin, të ngjitemi në nivel tjetër gjatë këtij mandati dhe të përgatisim sa më mirë terrenin që Shqipëria e 2030-ës të jetë një zgjedhje krejt e mundshme e familjeve shqiptare dhe jo vetëm një zgjedhje e detyruar krahas zgjedhjes së natyrshme për t’i shkolluar fëmijët jashtë vendit në botën e hapur ku jetojmë.

Do të investohemi fuqimisht në mbështetje të idesë së hapjes së strukturuar të universiteteve publike për të mundësuar bashkime forcash, programe dhe deri diploma me universitete publike europiane. Puna ka nisur dhe bashkëpunimi me rektorët në universitet tona ka hyrë në një zhvillim të ri me një dëshirë reciproke dhe me një vullnet të ndërsjellë.

Mbrojtja e së ardhmes së kërcënuar të mjedisit, qoftë nga ndryshimi i klimës, qoftë nga keqtrajtimi i tij prej veprimeve të njeriut do të na përfshijë shumë më tepër dhe në mënyrë tranversale gjatë këtij mandatit të ri, duke filluar nga kopshtet, shkollat, universitetet dhe deri te komunitetet në territor. Uroj që të gjejmë forca dhe energji në shoqërinë civile për të arritur impaktin e kësaj përpjekje. Shumica e re qeverisëse, duke nisur nga projektbuxheti i vitit në vijim, do të vendosë një parim të panegociueshëm me shpërndarjen e fondeve për bashkitë. Në fillim pastërtia pastaj të gjitha të tjerat.

Rritja e konsumit, rritja e veprimtarisë ndërtimore, rritja e turizmit nuk mund të shoqërohen me rritjen e papastërtisë ose e thënë shqip me rritjen e pranisë së plehrave në rrugët e jetës tonë të përditshme. Bashkitë që nuk pastrojnë dhe nuk menaxhojnë si duhen plehrat, nuk do të përfitojnë asnjë lloji granti të pakushtëzuar nga buxheti i shtetit. Asnjë investim i ri nuk i vlen një komuniteti, të cilit nuk i garantohet në radhe të parë pastërtia e mjedisit dhe pastërtia duhet të kthehet në kryefjalën në radhe të parë të çdo qeverie vendore dhe të çdo kryebashkiaku të Shqipërisë. Po ashtu, ne nuk do të tolerojmë më mbylljen e syve të pushtetit vendor për ndërtimet pa leje, të cilat do të jenë një nga shënjestrat prioritare të punës së përditshme edhe të vetë policisë së shtetit bazuar edhe në ligjin që kemi riparë dhe riforcuar në këtë funksion.

Ne duam ta bëjmë Shqipërinë e 2030-s kampione absolute të Ballkanit Perëndimor në turizëm, por për t’ia dalë këtij objektivi ambicioz ne duhet të garantojmë pastërtinë dhe paprekshmërinë e paligjshme të mjedisit.

Sezoni i sivjetshëm turistik ishte sa një motiv optimizmi për të ardhmen për nga numri i madh i turistëve, aq dhe një kambanë alarmi për cilësinë e ofertës sonë turistike. Plehrat dhe ndërtimet pa leje, duke filluar nga zonat turistike e në radhë të parë përgjatë vijës bregdetare janë një nëpërkëmbje e patolerueshme e fatit të turizmit shqiptar dhe e vetë dinjitetit tonë kombëtar. Një plan i ri agresiv ndërhyrje i qeverisë për t’i nxjerrë përfundimisht jashtë nga rruga e zhvillimit të turizmit këta dy armiq shpërfillës të së ardhmes së këtij vendi, do të vihet në veprim qysh nga janari i vitit të ardhshëm. Vija bregdetare e Shqipërisë, një mrekulli e Zotit dhe një minierë e një pasurie prej së cilës mund të përfitojë çdo vit e më tepër ekonomia jonë kombëtare dhe populli ynë duhet parë si pasqyra e atdhedashurisë që duhet të reflektojë përgjegjshmëri patriotike dhe qytetare.

Patriotizmi nuk është të urresh një komb tjetër dhe të mallkosh bashkëkombasit që nuk urrejnë njësoj si ty, por është të duash vendin tënd, është të sillesh me të si me shtëpinë tënde, është të paguash detyrime që të takojnë dhe të ruash mjedisin që nuk të takon ty, por i takon gjeneratës tjetër.

Në qershor të vitit tjetër do të hyjë në fuqi ndalimi përfundimtar i qeseve plastike, për konsum vetjak dhe familjar në Shqipëri. Qeset plastike janë kthyer në makth për natyrën tonë dhe një Shqipëri e pavarur prej tyre do të jetë një Shqipëri shumë e gatshme për ta fituar sfidën e të ardhmes.

Prodhimi, shitja dhe futja e qeseve plastike për përdorim individual në Shqipëri do të sanksionohen me zero tolerancë. Nuk jemi të parët që e bëjmë, por jemi realisht që duhet ta kishim bërë. Do të anulohen të gjitha lejet dhe licencat absurde për të grumbulluar mbetje me demek të riciklueshme kazan më kazan, duke i nxjerrë nga kazanët mbeturinat e duke ndotur rrugët e duke ndotur ajrin e çdo komuniteti e duke bërë pirgje kuturu, lart e poshtë nëpër Tiranë apo qytetet të tjera të Shqipërisë. Mesazhi im për industrinë që sot prodhon qese plastike për përdorim me blerje pakice është që mos kërkoni asnjë lëshim nga kjo qeveri sepse ky është një lëshim në dëm të së ardhmes që qeveria jonë nuk do ta bëjë.

Keni 9 muaj kohë për të adaptuar linjën e re të prodhimit.

1 qershori i ardhshëm, dita e fëmijëve do të jetë edhe dita e çlirimit të Shqipërisë nga qeset plastike në emër të fëmijëve.

Shqipëria nuk është një vend financiarisht i pasur, por nuk mund të jetë në asnjë mënyrë një vend kronikisht i papastër. Kjo duhet dhe do të ndryshojë me çdo kusht. Nga ana tjetër, investimet në turizëm do të hyjnë në një fazë realisht historike për nga shumëfishimi gjatë kësaj dekade, duke filluar nga kantierët e mëdha, katër portet turistike, në Sarandë ku ka filluar puna, në Vlorë ku puna nis së shpejti, në Durrës ku puna nis së shpejti dhe në Shëngjin ku jemi më mbrapa sesa me këto të treja. Porte turistike që do të hapen si kantiere njëri pas tjetrit, dy aeroporte ndërkombëtare në Vlorë, ku më në fund brenda vitit do të ngrihet kantieri dhe në Sarandë ku për pak javë mbyllet gara ndërkombëtare për investitorin. Paralelisht me këto kantiere do të nisim gjatë këtij mandati edhe rialokimet e dy porteve tregtare në Porto Romane, portin e Durrësit dhe në Triport, portin e Vlorës ku do të ngrihen kantieret e dy porteve të reja me standardet më të mira ndërkombëtare.

Do të vazhdojë rritja e kapaciteteve të Aviacionit Civil, jo vetëm me tre aeroporte të reja, por edhe me zgjerimin e Aeroportit Ndërkombëtar “Nënë Tereza”, ku brenda këtij viti nis investimi për zgjatjen e pistës dhe terminalin e ri, ndërsa kompania jonë e flamurit “Air Albania” do të vazhdojë të rritet, duke shtuar vijimësisht flotën, destinacionet dhe cilësinë e ofertës në radhe të parë për të gjithë shqiptarët.

Ky do të jetë edhe mandati i kantierit më të madh të Korridorit Blu, më i madhi në historinë e deritanishme të zhvillimit të infrastrukturës rrugore të Shqipërisë, ku në harkun e pesë viteve do të kemi një autostradë të realizuar me standarde europiane nga Murriqani në Fier, duke kaluar përmes Milotit, Thumanës, Kasharit dhe Rrogozhinës. Kemi pritur më gjatë seç duhet të prisnim që ky projekt prioritet i procesit të Berlinit të financohet nga Bashkimi Europian. Por nuk do presim më, do të fillojmë punën. Ashtu sikundër, nuk po zgjatem me listën e projekteve të infrastrukturës se është shumë e gjatë, por përmbledhurazi mund të them me plot gojën se në këtë mandat do të vendosim pikat mbi “i” në atë pjesë të akseve të mbetura ende të pazhvilluara me parametrat e Shqipërisë 2030.

Ne duam që Shqipëria të kthehet në eksportuese neto të energjisë elektrike dhe gjatë katër viteve të ardhshme do të hedhim hapa vendimtarë drejt këtij objektivi strategjik për vendin tonë.

Skavica nuk është më një ëndërr e mbetur në sirtar qysh nga vitet ’70 të shekullit të kaluar dhe Tec-i famëkeq i Vlorës nuk do të jetë edhe për shumë kohë plaga e hapur e një dështimi të madh qeverisës dhe financiar të së shkuarës.

Ky katër vjeçar do të ketë edhe kantierin e Hidrocentralit të Skavicës që përveç rritjes domethënëse të kapaciteteve prodhuese do të shërbejë edhe për mbrojtjen përfundimtare nga përmbytjet e detyruara të reshjeve të tepërta të gjithë zonave të Veriperëndimit të Shqipërisë. Po kështu do të ketë edhe kantierin e transformimit të TEC-it të Vlorës në një portë hyrëse të gazit të lëngshëm në Shqipëri. Dy investime të mëdha të dy prej kompanive më të mëdha të Shteteve të Bashkuara, të cilat shënojnë dhe hyrjen më domethënëse të fondeve amerikane të investimeve në Shqipëri. Pas nisjes së punës për parkun me energji diellore të Karavastasë do të ngrihet në gjysmën e parë të vitit të ardhshëm edhe kantieri i parkut me energji diellore të Spitallës. Dy parqet më të mëdha fotovoltaike të rajonit tonë, të cilat rrisin kapacitete prodhuese të vendit, por dhe diversifikojnë portofolin e energjisë së gjelbër të Shqipërisë. Po ashtu, po përgatitet dhe futja në prodhimin e energjisë së erës për cilën janë në zhvillim e sipër projekte me kapacitet të konsiderueshëm.

Sot, jemi ekspertuesit më të mëdhenj të perimeve në rajonin e Ballkanit Perëndimor dhe zëmë vendin e dytë për eksportin e frutave, ndërkohë që kemi rritur disafish eksportin e prodhimeve të detit. Tetë vite më parë ishim vrima e fundit e kavallit ballkanik në bujqësi dhe ne peshkim, por absolutisht nuk do të ndalemi këtu.

Objektivi ynë ambicioz është që t’i çojmë eksportet bujqësore në 1 miliardë dollarë. Duam ta arrijmë këtë objektiv mundësisht brenda këtij katërvjeçari. Eksportet bujqësore në 1 miliardë dollarë dhe duam të arrijmë këtë objektiv mundësisht brenda këtij 4-vjeçari. Kjo do të thotë më shumë mbështetje në çdo aspekt për fermerët e për peshkatarët, më shumë sera, më shumë inovacion teknologjik, por dhe më shumë garanci cilësie të inputeve bujqësore, më shumë infrastrukturë moderne grumbullimi, më shumë incentiva për bashkimet bujqësore, më shumë transferime dijesh, trajnime, informacion dhe ndërveprim mes institucioneve dhe sipërmarrjes në fshat. Në funksion të gjithë këtyre aspekteve kemi një plan konkret, i cili do fillojë të vihet frontalisht në veprim që në 300 ditët e para të mandatit të ri.

Dua të veçoj nga ky plan, transformimin e mëtejshëm të Universitetit Bujqësor të Tiranës, në bashkëpunim të ngushtë me një nga ekselencat europiane në arsimin e lartë për zhvillimin rural, Universitetin BOKU të Vjenës. Synimi ynë është t’i kthejmë me patjetër universitetit tonë bujqësor shkëlqimin e një qendre të dijes më të përparuar kombëtare në fushën e zhvillimit bujqësor dhe rural. Nuk do kursejmë për ta realizuar këtë synim strategjik për Shqipërinë e 2030-ës.

Kapitullin e agroturizmit, si një degë krejtësisht të munguar me dekada të industrisë së turizmit shqiptar, vetëm sa e kemi hapur me sukses gjatë mandatit të dytë. Në këtë mandat duam ta shkruajmë atë më tutje me investimet të konsiderueshme private, të mbështetura në forma të ndryshme nga qeveria në të gjithë territorin rural ku shtrihen magjitë e Shqipërisë, nga Vermoshi dhe Thethi, në Dropull dhe në Konispol.

Po ashtu duam të hapim një kapitull të ri në fushën e sigurisë ushqimore ku kemi bërë përparime domethënëse, duke u nisur sigurisht nga një prapambetje shumë e thellë. Deri 8 vite më parë, gjëja e gjallë therej në rrugën ku kalonin makinat dhe gjaku i fytit të deles të përplasej në xhamin e makinës.

Ringritja e trajektores së rritjes ekonomike, pas rënies dramatike nën trysninë mbytëse të kulmimit të pandemisë, është shumë inkurajuese. Kemi fituar numerikisht mbrapsht të gjitha vendet e humbura të punës. Ky është fakt, madje, me rritje në disa sektorë. Kemi rritje si asnjë vit tjetër të të ardhurave. Kemi rritje të ndjeshme të konsumit si rezultat i rritjes së fuqisë blerëse. Por, natyrisht, kjo është një periudhë rikthimi pas një periudhe tërheqjeje dramatike për shkak të pandemisë dhe ne nuk duam që sidoqoftë, ky ritëm të bjerë deri në fund të katërvjeçarit, nën dyshemenë e 4% mesatare rritje ekonomike vjetore.

Të dhënat makroekonomike janë të qëndrueshme dhe optimizmi për daljen me sukses së afërmi në tregjet e kapitaleve është realist, por nuk na mjafton asgjë nga këto, pa shënuar një rritje të mëtejshëm e të qëndrueshme në cilësinë e klimës së biznesit, të konkurrueshmërisë dhe produktivitetit. Jemi në kushtet kur mund dhe duhet t’i japim një shtysë të fortë përpara sektorit të manifakturës, me mbështetje direkte financiare, për të mbyllur ciklin e prodhimit brendapërbrenda dhe për të kaluar në një stad tjetër me markën, sot të brishtë, “Made in Albania”. Kjo do të rriste kapacitetet e patjetër do të rriste edhe pagat, për shkak të cilësisë së re të prodhimit. Për këtë kemi programuar dy instrumente për këtë qëllim;

Një garanci sovrane prej 50 milionë eurosh për kalimin në linja të reja prodhimi dhe një program special, inovacion dhe ekselencë në manifaktuarë, me një mekanizëm financiar të rimbursimit të kostove të kompanive për rritjen e kapitalit të tyre njerëzor në inovacion, dizajn, marketing, kërkim dhe zhvillim.

Jemi të vetëdijshëm se paga minimale, e rritur së fundi në 30 mijë lekë të reja, është ende e ulët, prandaj rritja e saj graduale çdo ditë, mundësisht deri në 40 mijë lekë të reja në fund të mandatit, por pa diskutim në 38 mijë lekë e kjo diferencë do të varet nga shumë faktorë, është një objektiv i paralajmëruar në fushatën zgjedhore, të cilën do të nisim ta fusim në rrugën e realizimit që me projektbuxhetin dhe me paketën fiskale të vitit që vjen, edhe normën e pagës minimale 32 mijë lekë të reja (domethënë 320 mijë lekë).

Unë ndihem vërtetë mirë sot, që nuk ka asgjë të premtuar në fushatë që nuk është në program. Madje, në debatin që kemi bërë me grupin e programit u kam thënë merrni programin e fushatës, ta votojmë në parlament e t’i qëndrojmë një për një, sepse asnjë nga synimet e shpallura në fushatë nuk ka mbetur pa u kthyer në objektiv dhe detyrim programor për qeverinë e mandatit të tretë të Partisë Socialiste.

E vërteta është se jo gjithmonë gjërat shkojnë sipas parashikimit për lloj-lloj arsyesh. E këtu nuk kam parasysh politikanët që premtimin e kanë si pëllumbat që nxjerrin nga kapelet në skenë prestigjatorët, por e kam kur realisht angazhohesh për një premtim. Prandaj ndodh që një premtim të mos mbahet dot në kohën e premtuar dhe nganjëherë mbajtja e tij të shtyhet për një kohë të gjatë, për shkaqe që janë tërësisht jashtë vullnetit të qeverisë.

Është jashtë vullnetit të qeverisë tërmeti.

Është jashtë vullnetit të qeverisë pandemia.

Janë jashtë vullnetit të qeverisë ndërveprime të aktorëve e të faktorëve të tretë, siç ndodhi me aeroportin e Vlorës ku u ndeshëm me kthesa e me ngecje të padëshiruara e të papritura, krejtësisht jashtë vullnetit të qeverisë.

Por është po kaq e vërtetë se unë asnjëherë nuk premtoj diçka që e di që nuk bëhet, sa për të marrë duartrokitje apo vota.

Siç është e vërteta po ashtu, se për gjithçka kemi premtuar, ne do bëjmë çmos që të realizohet. Kështu që të gjitha rritjet e pagave të premtuara do të bëhen siç janë premtuar, që do të thotë që unë e konfirmoj përsëri sot, tani jo më nga foltorja e fushatës, por përpara Kuvendit të Shqipërisë se kjo shumicë qeverisëse, përgjatë këtij mandati do të rrisë:

Pagat e edukatoreve, të mësuesve, të mjekëve, të infermierëve me 40%;

Pagat e administratës publike me 30%.;

Pagën mesatare në administratë nga 72 mijë lekë të reja në muaj në 85 mijë lekë të reja në muaj.

Më lejoni të shtoj këtu, diçka që nuk e kemi premtuar. Pas një shfaqjeje kulmore mbrëmë të trupës së Teatrit të rilindur Kombëtar të Operas e Baletit, ku solistët e asaj trupe dhanë një provë prekëse të vlerës së tyre të çmuar për prestigjin e kulturës sonë, duke shkëlqyer pa asnjë dallim krah dy yjeve të skenës botërore, si dhe pas konsultimit që kemi bërë në orët e fundit me grupin e programit ekonomik, pagat e solistëve tanë të jashtëzakonshëm, të cilët kanë vendosur të qëndrojnë në Shqipëri, të kontribuojnë në Shqipëri, është plotësisht e udhës të dyfishohet që nga vitit i ardhshëm.

Po ashtu, së shpejti do të paraqesim edhe një program stimulimi financiar në tërësi, për atë trupë, e cila është pa asnjë diskutim një nga përfaqësitë më europiane dhe më dinjitoze që ka kjo republikë, të cilën do ta motivojmë sa më shumë, që të kthehet në një ambasadore të Shqipërisë në rajon e në botë.

Nuk kemi premtuar në fushatë asgjë domethënëse për pensionistët. Jo sepse nuk e dimë që ata e meritojnë të shpërblehen më shumë se gjithë të tjerët, madje, as sepse nuk e dëshirojmë me gjithë shpirt një rritje domethënëse të pensioneve përtej bonusit special që kemi vendosur në fund të vitit, por nuk kemi mundur dot dhe nuk mundemi akoma dot ta hedhim atë hap. Sepse honi kërcënues, i hapur për shumë e shumë vite nga skema e vjetër e pensioneve dhe nga administrimi me papërgjegjshmëri kriminale i sigurimeve shoqërore, përpara sesa ne të ndërmerrnim Reformën e Pensioneve e të vinim në vijë deri në një farë pike administrimin e sigurimeve, megjithëse, sot është ngushtuar duke u bërë i parrezikshëm për qëndrueshmërinë e financimit të pensioneve, akoma nuk është mbyllur në pikën që ne të hedhim një hap të guximshëm përpara, me një rritje domethënëse të pensioneve.

Unë dua t’u them sot, jo nga foltorja e fushatës, por nga foltorja e këtij Kuvendi, të gjithë gjysheve dhe gjyshërve, se një plan i varur nga ecuria e përgjithshme e reformave dhe e ekonomisë në gjysmën e parë të këtij mandati të ri është në tryezën tonë. Do të jetë pa diskutim, dita më e bukur e jetës sime publike politike të marr dot shpërblim, buzëqeshjen e tyre të bekuar, duke e vënë në veprim planin për një rritje domethënëse të pensioneve.

Sot mund të jap vetëm fjalën që do ta mbaj çdo ditë në mendje, marrjen e atij shpërblimi të shenjtë dhe lus Zotin që t’ia dalim ta bëjmë realitet, por ju lutem, mos e quani premtim përpara Kuvendit, por vetëm një angazhim solemn këtu në Kuvend, për të bërë gjithçka është e mundur për këtë premtim të munguar. Nuk kisha pse i hapja punë vetes me një gjë kaq të madhe, nëse nuk do e besoja deri në fund, që kjo është diçka për të cilën ia vlen të bëjmë maksimumin.

Të dashur bashkëqytetarë!

Besoj se nuk duhet thënë shumë për faktin se Shqipëria, sot nuk ka asnjë lidhje me Shqipërinë e para 8 viteve në arenën ndërkombëtarë. E nëse gjatë këtyre 8 viteve, fabrika e baltës politike nuk do të kishte eksportuar kaq shumë prodhim nëpër zyrat e Europës, se fatmirësisht, në Amerikë, ajo baltë ka kohë që nuk shitet, ky vend nuk do kishte hequr picirin në labirintet e integrimit europian. Jo se do ta kishim marrë më parë, sesa kur e morëm vendimin për të hapur negociatat nga Këshilli Europian, as se do të ishte bërë tanimë Konferenca e parë Ndërqeveritare. Jo, sepse asnjëra e as tjetra nuk vareshin fare nga sa kushte, nënkushte, stërkushte përmbushnim ne nga ato që shtoheshin pasi Komisioni Europian jepte rekomandimin për hapjen e negociatave, pasi Shqipëria i kishte plotësuar kushtet dhe bëheshin si ato vargjet e fiqve të thatë sa në një parlament, në një tjetër, sa andej, sa këtej nëpër Europë, tamam si gjëegjëzat që hutojnë fëmijët. Por tanimë edhe fëmijët e kanë kuptuar se ato punë varen nga si e kanë hallin e tyre ata që e kanë në dorë atë punë, jo nga sa i kemi zgjidhur ne, hallet përkatëse të çdo etape të procesit e kjo nuk ka për ne asnjë rëndësi.

Ne e kuptojmë më së miri këtë, është një mënyrë funksionimi në Bashkimin e sotëm Europian për shkak të 1001 divergjencave e problematikave të brendshme, por kjo nuk ndryshon asgjë në përpjekjen tonë për të ecur përpara e për t’i përmbushur të gjitha kushtet që Shqipëria të jetë këtu në Shqipëri për shqiptarët, një shtet i standardeve të Bashkimit Europian. Pastaj se kur hapet Konferenca e se kur mbyllet Konferenca, kjo nuk është në dorën tonë e nuk është çështja jonë. Çështja është se balta që eksportohej nga këtu, ulte Shqipërinë, e bënte të dukej si stan me lepuj apo siç më pat thënë dikur një zonjë, të cilës nuk ia përmend dot emrin, na bënte të shfaqeshim në sytë e tyre si i vetmi vend në historinë e integrimit europian ku dukej që njëra palë paraqitej si zëdhënëse e vullnetit për integrim, kurse pala tjetër si luftëtare kundër regjimit në mërgim. Megjithatë, sot, Shqipëria as nuk diskutohet më nga askush që është gati të ulet në tryezë me Bashkimin Europian për çeljen e negociatave, por do të ndodhë çfarë do të ndodhë me Bullgarinë, as kjo nuk na pengon që të vazhdojmë punën tonë dhe më e rëndësishmja, shihemi me respekt nga të gjithë si pikë referimi në Ballkan.

Kush mund ta imagjinonte, sinqerisht, deri në 8 vjet më parë që Kancelarja e Gjermanisë do të vinte dy herë në Tiranë, nga një histori, nuk e di sa.., sa 100 vjet që nuk ka ardhur asnjë herë. Një herë për vizitën e parë bilaterale në histori të një kancelari gjerman dhe herën e dytë, për të bërë vizitën e dytë bilaterale dhe krahas saj dhe një samit me gjithë përfaqësuesit më të lartë të Ballkanit Perëndimor. Nuk po llogaris këtu, vizitat e punës në Kancelari që ne kemi bërë.

Ky është vetëm një shembull, por që të mos e lëmë vetëm me një, se ka shumë, edhe fakti që Shqipëria para pak kohe u bë vendi i stërvitjes më të madhe taktike të NATO-s e ka një lidhje. Unë nuk kam si të mos e them sot, me shumë krenari madje, që tanimë, në çdo instancë ndërkombëtare, Shqipëria nuk e mbush karrigen si një vend guhak dhe inferior përpara të huajve, por si një shtet europian nga Ballkani që ka zërin, ka dhe qëndrimin e vet të respektuar.

E që të mos kujtojë njeri këtu se po flas për Belulin, po rrëfej se kam marrë jo një, por disa mesazhe përgëzimi nga autoritete të dorës së parë në skenën ndërkombëtare për qëndrimin e Shqipërisë, jo përmes meje, por përmes ministres së Jashtme në Ministerialin e fundit të NATO-s. Ashtu siç do të marrë po njësoj përgëzimet të së njëjtës natyrë për qëndrimin e Shqipërisë, jo përmes meje, përmes ministres për Marrëdhëniet me Parlamentin në Forumin ndërkombëtar mbi Çështjen e Krimesë. Kjo nuk ka të bëjë as më një qëndrim, as më një fjalim, por ka të bëjë me një vazhdimësi, kështu që flas për pozitën ndërkombëtare të Shqipërisë, përtej individëve, e cila është rezultat i dinamikës së re që ne i dhamë si shumicë qeverisëse politikës sonë të jashtme.

Nuk janë të rastit, nuk janë as sadaka nga qielli, kryesimi i OSBE-së nga Shqipëria. Është kërkuar dhe më parë, por janë habitur njerëzit që “po këta çfarë kërkojnë, këta janë për t’u mbajtur OSBE-në tek paradhoma që mos hidhen nga ballkoni”.

Nuk janë as futja e Shqipërisë në Këshillin e Sigurimit të Kombeve të Bashkuara vetëm disa vite pasi Tiranën, – ju kujtoj se ky është fakt, -nuk e vizitonte më askush, përveç ndërmjetësuesve të huaj, në periudhën e fundit përpara fillimit të mandatit tonë të parë. Ndërsa kryeministrin e këtij vendi nuk e ftonte më askush në takime bilaterale në periudhën e fundit e këto janë fakte.

Përtej këtyre kam diçka më të rëndësishme për të thënë.

Mos është vallë e rastit apo nuk ka lidhje fare me politikën tonë të jashtë, pozicioni i sotëm i shqiptarëve në Maqedoninë e Veriut, kur deri dje, një gjysmë satrapi ballkanik atje në Shkup i trajtonte shqiptarët si pakicë kombëtare, duke bërë sikur bashkëqeveriste me ta, pa e çuar as në mendje për t’u hapur rrugë as për të drejtën elementare të barazisë së gjuhës shqipe, si gjuha e një populli pa të cilin, ai shtet nuk rri dot në këmbë, sepse shqiptarët në Maqedoni janë popullsi shtetformuese. Aty ishin edhe dje, faktorët politikë shqiptarë në Maqedoni, por politika e jashtme e Shqipërisë dhe zyra ku unë jam sot, atëherë e kishin mendjen tek fushatat elektorale, jo tek përparimi i të drejtave të bashkëkombësave tanë në atë shtet. Besoj që Platforma e Tiranës, e shumë mallkuara, ju kujtohet edhe sa shumë u anatemua, edhe sa shumë ndikoi në ato procese.

Prandaj duhet t’i kenë parasysh faktet që janë të prodhuara në dobi të shtetit e të kombit shqiptar nga politika jonë e jashtme, të gjithë ata që më shumë bëjnë sikur nuk e kuptojnë, sesa nuk e kuptojnë Ballkanin e Hapur.

Ballkani i Hapur nuk është një lojë e Serbisë, nuk është as një konspiracion rus apo kinez, për të ringjallur Jugosllavinë. Siç nuk është asesi, një devijim nga rruga e anëtarësimit në Bashkimin Europian apo korniza e Procesit të Berlinit. Të gjitha këto janë përralla me gogol për t’u treguar pranë zjarrit digjital, në një luftë nga kolltuku dhe nga Facebook-u me një armik të deridjeshëm, të cilin Kosova, Shqipëria e krejt kombi shqiptar e kanë mundur përfundimisht si armik në luftën reale, me bomba dhe me pushkë, sot e 20 e kusur vjet përpara, falë Shteteve të Bashkuara e aleatëve më të mëdhenj europianë kundër xhahilit të Beogradit, si dhe falë Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe udhëheqësve të saj.

Foshnjat që lindën në atë luftë dhe që sot po bëhen pak nga pak, djem e vajza për t’u martuar, nuk ua kanë borxh politikës që luan luftash me Serbinë, as në Prishtinë, as në Tiranë. Nuk ua kanë borxh që Kosova, e nxitur edhe nga Tirana për politika që nuk kanë të bëjnë fare me kombin, që nuk kanë të bëjnë me perspektivën e shqiptarëve, por kanë të bëjnë vetëm me luftën elektorale këtu dhe atje, t’i humbasë në paqe, jo në luftë, si në një ruletë kazinoje politike ku blofet për politikë të brendshme me politikën e jashtme pasojnë njëra-tjetrën, të gjitha kreditet ndërkombëtare që janë fituar me gjak, janë fituar me dhimbje, janë fituar me punë shumë të mundimshme diplomatike.

Natyrisht, për Kosovën, ne mund të flasim, jo të vendosim. U takon autoriteteve të Kosovës të marrin vendimet, të cilat ata i gjykojnë si duhet për Kosovën, ndërsa ne na takon thjesht t’i respektojmë ato. Ama e njëjta gjë vlen edhe anasjelltas. Për Shqipërinë vendosin autoritetet e Shqipërisë dhe ata duhet t’i respektojnë vendimet tona. Nëse nuk na pëlqejnë vendimet e njëri-tjetrit, bujrum t’i diskutojmë vëllazërisht me mendje të hapur, por kurrsesi t’i shpallim si tradhtarë, si konspiracionistë, si ruso-kinezë, si filo-serbë e si nostalgjiko-jugosllavë, ata që mendojnë ndryshe, duke luajtur harush me dhimbjet e njerëzve të përvëluar në mish e në shpirt nga lufta, por dhe me padijen e atyre të kësaj dhe asaj ane, që pushkët i nxjerrin vetëm në ekran dhe në Facebook, për sharë mbarë e mbrapsht në emër të një patriotizmi, i cili vetëm patriotizëm nuk është.

Ballkani i Hapur është një pjellë e Procesit të Berlinit, si rezultat i nevojës për të ecur më shpejt me lirinë e lëvizjes së njerëzve, mallrave, kapitaleve, të shërbimeve, pa pritur që të na mbledhin një herë në vit lartë e poshtë nëpër Europë, për të bërë një mbledhje të radhës, për të dalë me disa konkluzione të radhës e në fund, për të mos u bërë asgjë. Në Procesin e Berlinit ishte edhe Korridori Blu. Ku është?

Ballkani i Hapur nuk merr përsipër asgjë e nëse dikush del e thotë është kjo gjëja këtu, hajde ta diskutojmë, që nuk është brenda kornizës së Procesit të Berlinit, por thjesht mundëson që ta nxjerrim vetë gomarin nga balta, kur i thonë fjalës, pa pritur të na ikë dhe një 10-vjeçar tjetër, siç po ikën i pari, duke shpresuar që do vijnë të tërheqin për ne litarin të tjerët, nga Berlini, nga Parisi e nga Brukseli, se nuk kanë punë më të mëdha e nuk kanë shqetësime të tjera, por të kujdesen për të nxjerrë gomarin tonë nga balta, ndërkohë që ne rrimë dhe thurim tym me njëri-tjetrin. Pa dyshim nuk diskutohet, mbështetja, ndihma, inkurajimi i tyre është tejet i çmuar, siç padyshim, Ballkani i Hapur është një mekanizëm më shumë për ta përshpejtuar ndërtimin e hapësirave dhe institucioneve europiane në shtetet tona. Destinacioni ynë është realiteti i Europës së Bashkuar, jo fantazitë e atyre që u ka mbetur ora në turbo-folkun nacionalist të shekullit të XIX. E kjo nuk do as shumë mend, as shumë mund që të mos vihet fare në diskutim.

Ballkani i Hapur është i njerëzve që nuk duan të presin me orë e me orë nëpër kufi.

Ballkani i Hapur është i fermerëve e këtu flas jo në emër të të gjithë fermerëve, por flas për fermerët shqiptarë që janë sot, eksportuesit më të mëdhenj në rajon të perimeve, të dytët të frutave. Shkoni dhe pyetini fermerët e Konispolit, e duan Ballkanin e Hapur apo nuk e duan e pse?

Sepse nuk duan t’u prishen apo t’u kthehen mbrapsht prodhimet nëpër dogana.

Ballkani i Hapur është i tregtarëve që nuk duan të kontrollohen nga disa palë doganierë e të torturohen nga disa palë inspektorë për disa palë letra për të njëjtin mall.

Ballkani i Hapur është i turistëve që nuk kanë kohë të zbresin në një vend e për të kaluar tek tjetri të përzhiten me orë e me orë të tëra nëpër disa palë radhësh kilometrike e të shikohen vëngër nga lloj-lloj policësh që flasin gjuhë të ndryshme, por që karakteristikë kanë që janë të gjithë të djersitur.

Ballkani i Hapur është i punëtorëve, i atyre që duna të punojnë, të gjejnë një vend pune më të mirë, të synojnë të shkojnë diku tjetër e që nuk duan se nuk kanë si të duan, që të merren me viza, të merren me dokumente, me leje qëndrimi, me leje shërbimesh e ku di unë se çfarë.

Ballkani i Hapur është i studentëve dhe i pedagogëve që duan të mësojnë gjëra të reja, që duan të shkëmbejnë eksperienca të ndryshme.

Ballkani i Hapur është i tregjeve tona. Ne e kemi të pasur shumë tregun politik këtu, që nuk prodhon asgjë, ndërsa atë tregun prodhues e kemi të vogël dhe tregjet tona kanë nevojë jetike të zgjerohen për investimet e huaja direkte e për sinergji të reja sipërmarrëse.

Ballkani i Hapur është për kulturat tona që duhet të ndërveprojnë siç ndërveprojnë kulturat kudo, gjithmonë, në gjithë historinë e njerëzimit, si ura njohjeje, afrimi mes popujve dhe si ushqim për paqen mes fëmijëve.

Ballkani i Hapur është i shteteve që duan të bëhen pjesë e Europës së Bashkuar, të cilat përmes Ballkanit të Hapur hyjnë në një proces të ri, simetrik me procesin që do duhet të hyjnë kur të bëhen pjesë e kornizës së katër lirive. Ama në një rajon më të vogël, këto shtete mësojnë, ushtrohen, përballen me vështirësi, përgatiten në mënyrë që në momentin e hyrjes në Bashkimin Europian, përmes një procesi bashkëpunimi europian brenda rajonit, ato të kenë nxjerrë dhe disa konkluzione nga rrjedhojat e gjithçkaje që sjell hapja.

Ku është tradhtia këtu? Ku është konspiracioni këtu? Ku është asimilimi këtu? Ku është dreqi këtu?

Ah, po, e di, do të përfitojë Serbia se është më e madhe dhe është më e gatshme. Ndërkohë, Serbia, po qe puna për Ballkanin e mbyllur, tregun e Kosovës e ka marrë të gjithin, që të jemi të qartë. Por le të kalojmë nga kjo.

Ne nuk na intereson fare se çfarë do përfitojë Serbia. Ne na intereson sa do përfitojë Shqipëria dhe po njësoj, sa mund të përfitojë Kosova bashkë me Shqipërinë, edhe shqiptarët në Maqedoninë e Veriut ku janë popullsi shtetformuese, por dhe kudo tjetër ku janë pakicat kombëtare shqiptare në Ballkan. Është e vërtetë, Serbia është më e madhe, por është më e madhe me ne të marrë veç e veç. E mos ta harrojë kush se shqiptarët e marrë së bashku bëjnë që serbët janë vetëm njëri nga dy popujt më të mëdhenj të Ballkanit, ama konvergjenca shqiptare apo ajo që po të doni i thonë bashkimi, brutalisht dhe pa asnjë gajle, sa herë bëjnë fushatë në Kosovë, një fjalë që e harrojnë sapo fitojnë zgjedhjet, nuk ndodh kurrë, përveç se duke zgjeruar me këmbëngulje, me durim shtigjet e paqes, duke marrë njohjen e Kosovës nga Serbia në këtë proces si kulmim i një procesi paqeje e duke nxitur fuqizimin në ndërkohë, ekonomik, social, diplomatik të faktorit shqiptar, si faktori më i përkushtuar euroatlantik në Ballkan.

A duhet të kërkojë falje Serbia për spastrimin etnik dhe për krimet e luftës?

Po, nuk e luan topi!

Pa u vënë aty, tek kërkesa për falje dhe pastaj tek falja, pika e fundit, nuk mbyllet kurrë saga e këtij konflikti. Nuk ka diskutim.

Por si arrihet tek kërkesa e faljes? – Duke u izoluar mbrapa barrikadës së një lufte imagjinare, apo duke u hapur, duke u afruar, duke rënë dakord për gjëra që aktualisht mund të bihet dakord dhe janë në dobi të mirëqenies ekonomike dhe sociale, janë në dobi dhe të dickaje tjetër që fatkeqësisht, edhe ne këtu e harrojmë shpesh, por që atje po harrohet fare, që është faktorizimi ndërkombëtar i shqiptarëve si popull i përkushtuar ndaj paqes dhe si i tillë kombi shqiptar ka fituar dhe nëse nuk paraqitet si i tillë, është i dënuar të humbasë, por jo këtu në Shqipëri, kudo ku luhet ky film me sovranizëm dhe me “jam unë, pastaj bota është tjetërkund se këtu është sovraniteti”.

Me rrugën e lehtë të luftës imagjinare, me FB, në kolltuk, me foltore, me ekrane duke bërë politikë të jashtme me politikën e brendshme ka vetëm rrënim dhe izolim. Megjithatë, biem, s’biem dakord për Ballkanin e Hapur, ne duam, unë dua që me qeverinë e Kosovës, ne të bashkëpunojmë ngushtësisht, ta trajtojmë këtë mosdakordësi me respekt, me shumë respekt.

Shqipërisë nuk mund t’i jepen leksione dhe vendimet sovrane të Shqipërisë nuk mundet të negociohen asgjëkundi, ashtu sikundër vendimet sovrane të Kosovës duhen respektuar, nuk ka asnjë problem, por kjo mosdakordësi vazhdon të trajtohet me respekt. Koha do ta tregojë më shpejt se vonë se kush ka të drejtë dhe të merremi me punë konkrete, të merremi me atë që është në dobi të njerëzve, andej bjeshkëve dhe këtej bjeshkëve, të bëjmë përparim, në dobi të ekonomive, të shoqërive dhe të jemi të angazhuar.

Ky mandat i tretë do të jetë një periudhë e veçantë intensifikimi i marrëdhënieve me SHBA-të sidomos në fushën e mbrojtjes , ku kantieri shumë domethënës, i bazës ajrore mbështetëse të NATO-s, për të cilën agjencia e prokurimeve të NATO-s ka mbyllur garën dhe po përgatit kontratën e investimit, në Kuçovë, do të jetë vetëm njëri prej disa shembujve realisht të një epoke tjetër të aleancës sonë strategjike me miqtë e pazëvendësueshëm amerikanë.

Pas betimit të qeverisë ne do të shkojnë në Neë York për Asamblenë Kombëtare të Kombeve të Bashkuara se bashku këtë radhë edhe me Ministrin e Mbrojtjes dhe unë kam shumë shpresë që do të mund të kthehemi mbase me një lajm domethënës për të ardhmen e forcave tona të armatosura.

Ju kemi kërkuar aleatëve tanë transformimin e Akademisë sonë të Mbrojtjes, në një akademi ushtarake ekselence në partneritet të drejtpërdrejte me ta dhe do të këmbëngulim deri në fund për të marrë një PO zyrtare në mënyrë që shkollimi akademik, i ushtarakëve shqiptarë, por edhe i ushtarakeve të tjerë të NATO-s përreth, të bëhet në kushtet e ekselencës që bëhet në Shtetet e Bashkuara.

Nga ana tjetër, ky do të jetë një mandat i shtrirjes së thellë të revolucionit dixhital, në funksion të sigurisë së kufijve, luftës kundër krimit të organizuar, kontrollit mbi territorin dhe mbi qarkullimin rrugor.

Rezultatet e deritanishme të Policisë së Shtetit janë shembullore krahasuar me situatën e falimentimit të saj 8 vite më parë, por janë krejt të pamjaftueshme krahasuar me ambicien tonë për Shqipërinë e 2030. Prandaj krahas dixhitalizmit të thelluar të Policisë së Shtetit, sigurimit të inteligjencës artificiale për të monitoruar në mënyrë konstante territorin dhe grupet kriminale, ne do të thellojmë dhe reformimin e vetë Policisë së Shtetit, për të fuqizuar Akademinë e Sigurisë, për të ulur me tej moshën mesatare të trupës policore për të ngritur në një nivel tjetër rrjetin e inteligjencës në polici kundër krimit të çdo natyre, duke rritur patjetër nivelin e motivimit të pagave.

E nisa me mbrojtjen e shëndetit me luftën kundër pandemisë dhe dua ta mbyll këtë paraqitje të linjave programatike të qeverisë së re me zhvillimin e mëtejshmen të shëndetësisë dhe dua të flas me fakte.

Në vitin 2013, vetëm 43 % të shpenzimeve në shëndetësi mbuloheshin nga financimi publik. Sot shifra është 77%. U kemi kursyer buxheteve familjare më shumë se 80 milionë dollarë, vetëm nëpërmjet reformës së uljes së çmimit të barnave, heqjes së tarifave për shërbime dhe paketave shëndetësore që financohen nga qeveria, qoftë në spitale publike, qoftë në spitalet jopublike.

Kemi rindërtuar siç premtuam 300 qendra shëndetësore në të gjithë vendin. Përmirësimi i infrastrukturës dhe fuqizimi me aparatura dhe pajisje mjekësore është aq evident, saqë kush është megjithë shpirt kundër nesh, e ka të pamundur ta shikojë. Edhe më evident është një shërbim kombëtar i urgjencës mjekësore që faktikisht ka vendosur një standard bashkohor, duke ulur dyfish kohën mesatarë të mbërritjes së urgjencës dhe mbi të gjitha duke patur një kapacitet monitorues të të gjithë lëvizjeve të urgjencës dhe të të gjithë komunikimit me qytetarët në kohë reale të arkivuar. Nuk ka asnjë qytetar të Republikës së Shqipërisë që telefonon urgjencën dhe mund të pretendojë çfarëdo qoftë që nuk është e vërtetë sepse çdo pretendim del direkt me zë nga kompjuteri dhe i jepet qytetarit.

Sikur, vetëm – këtë besoj mund ta ndaj me të gjithë qytetarët sot, – virusi që gjunjëzoi botën, do ta kishte gjendur Shqipërinë me shëndetësinë, me urgjencën, me spitalet, me trupën e demotivuar, me drejtuesit pa kokë fare të sistemit shëndetësor siç e gjetëm ne dhe pa platformën e-albania, – parafytyroni karantinë e përgjithshme, pa patur mundësi ta marrësh lejen për të dalë, pa dalë nga shtëpia. Imagjinoni në karantinë të përgjithshme ku të gjithë turren nëpër radha dhe përplasen me njëri-tjetrin që të marrin leje, atëherë këtu do të ishte bërë një thagmë që do ta kishte bërë Italinë në kulmin e kapjes prej fyti të dukej shumë më shumë se gjysma e së keqes.

Prandaj do të jetë përgjithmonë dhe kjo do të jetë përgjithmonë një motiv krenarie për mua dhe për këtë shumicë qeverisëse që Shqipëria nuk u gjunjëzua në kohën e zezë të pandemisë dhe përballoi – meqë po më ndërhyn – dhe aleancën tuaj me virusin, i dhatë një shtytje të lehtë, por qëndroi fort falë mjekëve, falë infermierëve të jashtëzakonshëm në radhë të parë, falë infrastrukturës së gatshme për sfidën e një përballje të atyre përmasave marramendëse, falë një komiteti teknik ekspertësh shqiptarë të klasit ndërkombëtar, falë platformës vendimtare e-Albania që garantoi karantinën e disiplinuar, falë fillimit të shpejtë të vaksinimit në kushtet kur shumica e rajonit mbeti si “peshku pa ujë”, falë fushatës shembullore të vaksinimit masiv dhe falë një pune këmbëngulëse pa orar, për muaj dhe muaj dhe pastaj kaloi viti dhe vazhdojnë muajt pafundësisht, të të gjitha institucioneve mbështetëse, të cilat kaluan me sukses një provë zjarri.

Tani hymë në mandatin e tretë dhe kemi inkurajimin e madh të një mundi disavjeçar të shpërblyer nga ky rezultat, pikërisht kur ne loje ishte vetë jeta e njerëzve të këtij vendi, por edhe me vetëdijen e fituar e falë këtij rezultati se ne mund dhe do t’i bëjmë shumë e shumë punë jo të lehta që na presin ende në këtë sektor jetik.

Ky do të jetë mandati i tretë i reformës në shëndetësi, e cila do të ketë në fokus autonominë spitalore, rritjen e përmasës dixhitale të sistemit shëndetësor, fuqizimin e mëtejshëm të kapitalit të vyer njerëzor të bluzave të bardha, përmirësimin e vazhdueshëm të infrastrukturës dhe logjistikës të spitaleve poliklinikave, qendrave shëndetësore dhe padyshim edhe rritjen e forcës goditëse ndaj ryshfetit që nuk është kurrë aq sa përflitet, por nuk është kurrësesi i papërfillshëm.

I nderuar Kuvendi i Shqipërisë, kjo ishte fjala ime e gjatë, por shumë më e shkurtër se sa do të duhet të ishte në fakt, për paraqitjen e një programi ambicioz, të cilin shpresoj me ndihmën e Zotit të shqiptarëve që është i madh, me ndihmën e vetë shqiptarëve kudo që janë dhe me vizionin, me pasionin, me durimin dhe me kokëfortësinë që nuk na mungon, do ta realizojmë duke punuar tre herë më shumë në këtë mandat të tretë historik për Partinë Socialiste të Shqipërisë, të cilën do të bëjmë çmos ta kthejmë në më të suksesshmin e një qeverie demokratike shqiptare, jo deri më sot se kjo është e lehtë, por për vite e vite të tjera më pas.

Shumë faleminderit!