Në një bashkëbisedim me studentët e Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina”, kryeministri i Shqipërisë Edi Rama ka sulmuar sërish Bashkimin Europian duke thënë se nuk e ka mbajtur fjalën për liberalizimin e vizave.
Ai u shpreh se Prishtina i ka plotësuar të gjitha kushtet që kërkonte Brukseli, por për shkak të politikave të brendshme, vendet anëtare po mbajnë peng lirinë e lëvizjes për shqiptarët e Kosovës. Mos mbajtja e fjalës nga BE, për Kosovën, por edhe për Shqipërinë e Maqedoninë për negociatat dhe çështje të tjera, janë arsye, tha më tej Edi Rama se përse duhet të përshpejtohet nisma “Ballkani i Hapur”.
“Unë dua t’ju them që e para, unë nuk do të isha marrë ndonjëherë me politikë po të kisha lindur në Francë, Gjermani, Angli apo Amerika, dhe në Shqipëri nëse nuk do të kishte qenë historia e ndërthurur me ecurinë e jetës sime që më përfshiu, pa menduar që një ditë do të vishja kostum. Kur jam përfshirë me politikën kam pasur vath në vesh, dhëmbët origjinale, se këto nuk janë origjinale, janë të prodhuar nga dentisti, kam pasur flokë, më shumë nga të gjithë ju këtu”, tha ai.
Pjesë nga fjala e Ramës:
Pra, shumë vite më parë dhe pa menduar ndonjëherë se do të merresha me këtë punë, rrodhën gjërat dhe jeta është ajo që na ndodh, ndërkohë që jemi duke bërë plane të tjera. I radhë gjatë hyrjes për të thënë që e besoj 100%, jo 99% që rruga e vetme për të dalë nga inercia e pafundme e prodhimit të historisë dhe për të prodhuar mirëqenie është “Ballkani i Hapur” për ne. Sot ju duhet të lëviznit lirisht pa viza, jeni i vetmi komunitet në Europë, me viza dhe jeni të vetmit që aleanca euro-atlantike e ka çliruar nga një diktaturë etnike.
Është një absurd, që gjyshërit dhe prindërit tuaj, jetonin nën Sllobodan Millosheviçin dhe lëviznin lirisht në Europë me pasaportën e Jugosllavisë apo ku di unë, ju jetoni në një shtet sovran dhe nuk lëvizni dot. Pse? Sepse BE nuk mban fjalën. I thanë Kosovës, duhet të bëni këto detyra, që janë teknike, i bëri Kosova të gjitha, këtë e thotë raporti i vetë BE-së.
Ky është një turp. E kuptojnë, por nuk ju vjen turp dhe kaq. Për arsye të brendshme dhe kaq. Shqipëria duhet t’i kishte filluar negociatat, por nuk i fillon, tani na ka dalë historia e Bullgarisë. Ata nuk i bëjnë as mbajtjen peng të Kosovës, as Shqipërisë, nuk e bëjnë se janë kundër jush apo nesh, ata e bëjnë sepse kanë arsye të politikës së brendshme. Sot BE udhëhiqet nga interesa lokale dhe sondazhet. Prandaj ne do ta bëjmë këtë gjë, se kur na fusin ata në një proces apo tjetër kjo nuk varet nga ne.
Nga ne varet të bëjmë maksimumin që të zgjerohemi këtu, se këtu nuk vjen BE të thotë mos hiqni kufijtë, apo lëvizjen e lirë të kapitaleve. BE ka nisur procesin e Berlinit. Por parimet i ka në rregull, që duhet të zbatohen këto liri dhe të financohet ky proces, kanë kaluar 7-8 vite dhe në aspektin politik ka bërë shumë mirë, por nuk kemi parë ndonjë hekurudhë, sepse procesi është shumë i avashtë dhe varet nga mbledhjet e tyre. Po pse do të presim mbledhjet që bëjnë ata njëherë në vit, që flasin për fermerët dhe grumbulluesit? Apo duhet ta bëjmë vetë? Ne duhet të bëjmë dokumentacionin e ekspertit që të mos jetë i disa fishtë.