Kryeministri Edi Rama i ka shtrirë edhe një herë dorën e bashkëpunimit opozitës, e megjithatë, për reforma të rëndësishme është shprehur se nëse ata nuk do të pranojnë që të ulen në tryezë, mazhoranca do të ulet me popullin. “280 mijë nxënës që marrin libra falas, ndërkohë që kur e nisëm ne nuk kishte asgjë. Në kohën e tyre ishin 600 mijë njerëz që ishin jashtë çdo skeme trajtimi shëndetësor dhe jashtë çdo skeme rimbursimi shëndetësor se ishin të pasiguruar dhe këto sot janë të përfshirë sa i përket programit, që opozita i bën pikëpyetje të gjitha. Ne kemi pasur parasysh që nuk jemi një parti që vjen nga opozita dhe për herë të parë do ulim të qeverisim, por jemi dhe nuk mund të shkonim para zgjedhësve përveç se me një program që është një kohësisht plan pune, nuk ka asnjë premtim në fushatë që nuk është në program.
Nuk mund të përmbushësh 100% programin qeverisës nëse ti po punon me X prioritet të vjen virusi, duhet të ndryshosh prioritete dhe të spostosh të ardhurat për një prioritet që ti as nuk e kishe imagjinuar. Di të them këtë që programi ynë që votohet sot bashkë me kabinetin është një program që synon të jetë 100% i realizuar të paktën në ato pjesë që kanë të bëjnë me projektet e mëdha me eliminimin përfundimtar të pandemisë dhe pasojat e tërmetit. Ato që janë të parealizueshme me opozitën, do i ndjekim me popullin, që të zbresim në popull për reformën territoriale apo zgjedhore, por nëse duan që të kemi diskutim dhe nëse duan që ta synojnë realizimin e këtyre synimeve duhet të flasim, dhe jo të bëjmë gabimin që i kanë lënë gjërat në fund, ndërkohë që ne i thonim hajde flasim për reformën zgjedhore, pastaj kur ikën shpikën një karrige ekstra se nuk ishin në parlament.
Ua dhamë këtë karrige ekstra dhe atë nuk e përdorën, pastaj na kërkuan një tjetër strukturë dhe koha ikën, sidoqoftë është zgjedhja e tyre, ne nuk kemi tabu, jemi të gatshëm të diskutojmë për të gjitha, por kemi prioritetet tona, por ne kemi një qëndrim krejt të kundërt, ne kërkojmë më pak bashki. Sot kemi entitet shumë të vogla me burime njerëzore të kufizuara për të mbajtur barrën, ndërkohë që pasja e një numri më të madh bashkish dhe njësi administrative më të madhe, hajde ulemi dhe të ballafaqojmë argumentet, mbase ne i bindim, mbase na bindin ata.
Duan ndryshim të sistemit kushtetues, hajde ta diskutojmë, kjo kërkon dialog, gjithsesi disponimi ynë është i plotë dhe qoftë kryetari i grupit apo sekretari i përgjithshëm nga ana tjetër janë në çdo moment të gatshëm që sido që ta zgjedhë PD-ja nëse do e zgjedhë një proces dialogu, menjëherë të vihen në komunikim, nëse duan ta bëjnë në rrugën X apo Y, por koha është e ngushtë, vitet ikin dhe për të gjithë ata që kanë qenë që në mandatimin e qeverisë së parë, duket sikur ajo ka qenë para 8 muajsh, na duhet të fokusohemi në punën tonë dhe realizimin e programit”, tha Rama.