Kryeministri Edi Rama ka publikuar sot rrëfimet e disa prej afganëve të strehuar në Shqipëri. “Të tjera rrëfime nga afganët e strehuar në Shqipëri, të cilët mes forcës së ëndrrave të prera në mes në vendin e tyre dhe shpresës për të patur sërish një jetë të lirë, kanë ardhur mes nesh për t’i ikur të shkuarës e ringritur të ardhmen”, shprehet Rama.
Në videon e publikuar tregohet historia e një çifti gazetarë të cilët kanë punuar për vite si pedagogë. Ata shprehen se si talebanët i kanë gjurmuar. “Unë kam qenë një pedagogë në universitet dhe kam punuar si gazetare. Burri im ishte po gazetar. Prej 12 vitesh kam punuar në universitet duke trajnuar mijëra gazetarë, veçanërisht gra. Kur talebanët duan të gjurmojnë një gazetar, ata gjurmojnë familjen tënde. Shumë media kane ndaluar transmetimin”, shprehen ata.
Gjithashtu në video tregohet dhe historia e grave biznesmene si dhe historia e një zëvendësministri. “Kishim një jetë të mirë, tani çdo gjë ka ndryshuar”- shprehen ata. “Jemi në një vend të mirë, në një hotel me 5 yje dhe çdo gjë është mbresëlënëse”, shprehet Ozra Aziz, e cila ka ardhur bashkë me bashkëshortin dhe dy fëmijët e saj.
Ajo nuk harron të falenderojë edhe shqiptarët për mikpritjen. “Jam këtu me bashkëshortin dhe me dy fëmijët. Jam shumë e lumtur që shikoj që njerëzit e Shqipërisë janë kaq të këndshëm, interesohen për ne dhe na ndihmojnë”, shprehet ajo.