Nga Mero Baze
Të gjithë kritikët e ashpër të Partisë Demokratike në vite, përfshi dhe mua, kanë pasur vetëm një problem me lidershipin e Lulzim Bashës pas vitit 2013. Problemi ishte se Lulzim Basha konsiderohej gjerësisht si një kukull e Sali Berishës. Dhe ishte i tillë. Ishte i tillë në praktikat e punës si vepronte, në mënyrën si merrte mbështetjen e Sali Berishës për të shkelur rregullat e brendshme në PD, si eliminonte kundërshtarët e tij e gjithçka tjetër. Ai ishte aq i identifikuar si një i emëruar i Berishës në krye të PD, sa siç e përshkruante kryetari i një partie simotër e PD në PPE, “ai edhe kur vjen në mbledhjet e PPE, ka një buzëqeshje të pafajshme, si ata që vijnë me vonesë në një mbledhje, dhe të kërkojnë ndjesë se ka ardhur në vend të atij tjetrit”.
Dhe kjo ishte arsyeja përse PD nuk arriti të bëhet parti fituese. Nuk arriti pasi shqiptarët nuk e kanë parë kurrë Lulzim Bashën si njeriun të cilin duhet të votonin, por si një të deleguar të Berishës, që t’i dërgoje votën me postë Sali Berishës. Kjo ka qenë krye-arsyeja përse Lulzim Basha nuk fitoi kurrë. Arsyeja ishte pikërisht identifikimi i tij si kukull e Sali Berishës. Nuk është e sigurtë se sa do të fitonte po të ishte identifikuar si një lider i pavarur i PD, por është e sigurtë se si një i deleguar i Sali Berishës, secili në krye të asaj partie do të humbasë.
Tani që Sali Berisha ka nxjerr shpatën dhe Lulzim Basha mburojën, partia është ndarë mes të dyve, dhe ithtaret e Sali Berishës, të cilët janë më shumë në shtyp se sa në parti, po mbrojnë tezën se Sali Berisha duhet përdorur sa të heqë Lulzim Bashën dhe të vendosë një kryetar tjetër. Pra teza e tyre është, që meqë Lulzim Basha bëri herezi dhe nuk vazhdoi të jetë më kukull, tani duhet të shkatërrojmë PD, derisa Doktori të gjejë një kukull tjetër që të jetë i qetë. Kjo tregon se në PD po bëhet betejë për të ruajtur sëmundjen e saj dhe jo për të luftuar që ajo të shërohet. Dhe kjo mund të jetë e vetmja parti politike në botë, që pasi identifikohet problemi, partia ngrihet në këmbë, jo për të zgjidhur problemin, por për ta përsëritur problemin.
Beteja e madhe e berishistëve që të heqin Lulzim Bashën për të vënë një kukull tjetër, meqë ky doli nga rreshti e nuk është më kukull, është beteja më haxhiqamiliste e historisë politike të Shqipërisë, është një “dumbabizëm” i ri i shekullit të 21, i papërfytyrueshëm për çdo mendje normale të një qytetari shqiptar. Kjo është beteja më regresive që shtypi, intelektualë, dhe veprimtarë politikë janë angazhuar ndonjëherë në historinë e këtij vendi. Është shumë më dinjitoze të angazhohesh të rikthesh Sali Berishën fizikisht në krye të PD, dhe ai të marrë përgjegjësitë e tij, për humbjet apo fitoret, se sa një kukull të re të tij, e cila merr përgjegjësi jo kur humb në zgjedhje, duke tradhtuar shpresat e elektoratit, por vetëm kur tradhton Sali Berishën.
Ky është një sanksionim i përdorimit të Partisë Demokratike vetëm për hallet e Sali Berishës dhe një barbarizëm intelektual i atyre që pretendojnë se po ndihmojnë Partinë Demokratike të ndryshojë. Kjo është betejë që PD të mos ndryshojë, që këneta e Sali Berishës të ruhet, që PD të përdoret si repart taliban kundër SHBA, dhe mbi të gjitha, që të mos ketë asnjë shans të fitojë ndonjë herë zgjedhjet me një kukull të re të Sali Berishës, tani dhe anti-amerikane. Në këto raste është më mirë të rikthejnë Sali Berishën, se së paku kanë në krye origjinalin, s’kanë pse prodhojnë një fotokopje të tij, që larg qoftë dhe mund ta tradhtojë prapë dikur, ende pa vdekur.