Në një intervistë të dhënë për VOA që pritet të transmetohet mbrëmjen e sotme, ambasadorja amerikane në Tiranë Yuri Kim ka folur gjërësisht për punën e saj si diplomate në Shqipëri dhe sfidat që qëndrojnë përballë saj. Përmes një postimi në Twitter, teksa ka shpërndarë një foto nga intervista, ambasadorja ka ngritur pyetjet: Ndryshim apo ngecje? Do të luftoni për brezin e ardhshëm apo mbroni fantazmat?

Pyetje të cilat indirekt bien mbi ish-kryeministrin Berisha, i cili ka nisur një lëvizje të brendshme në Partinë Demokratike për rikthimin e asaj që ai e quan sovraniteti i munguar i Partisë Demokratike. Përgjigjen e këtyre pyetjeve ambasadorja preferon ta japë vetë dhe në mënyrë të drejtëpërdrejtë, duke thënë se është koha të shikojmë nga e ardhmja dhe këtë mund ta bëjmë së bashku.

“30 vjet që kur Shqipëria u çlirua nga diktatura komuniste. 30 vjet tranzicion. Koha për të zgjedhur përsëri: Ndryshim apo ngecje? Luftoni për brezin e ardhshëm apo mbroni fantazmat? E ardhmja apo e shkuara? Le të shikojmë drejt së ardhmes. Do ta bëjmë së bashku”, shkruan Yuri Kim në Twitter.