Ministrja e Arsimit Evis Kushi ka pranuar se reforma e Arsimit të Lartë nuk ka arritur të gjithë pritshmëritë. Nga foltorja e Kuvendit, duke iu përgjigjur pyetjeve të deputetëve, Kushi tha se duke qenë se reforma nuk ka arritur të gjitha rezultatet që priteshin shumë studentë zgjedhin të ikin jashtë vendit për të studiuar.

Sipas ministres për këtë arsye qeveria ka vendosur të përdorë një mekanizëm, atë të bashkëpunimit me universitetet më prestigjioze evropiane.

“Në krahasim me reformat e suksesshme të deritanishme jemi të ndërgjegjshëm se reforma në arsimin e lartë nuk na i ka dhënë akoma të gjitha rezultatet siç priteshin. Ka shumë studentë shqiptarë që pasi mbarojnë shkollën e mesme detyrohen të shkojnë në universitete evropiane. Për këtë arsye ne kemi vendosur që një nga mekanizmat që do përdorim për të rritur cilësinë është bashkëpunimi i ngushtë me universitetet evropiane.

Do të nxisim edhe hapjen e filialeve të universiteteve më të mira në Shqipëri. rasti më konkret është universiteti teknik i Stambollit. Bashkëpunimet nuk do jenë në kuadrin e programeve të përbashkëta, por në të gjitha aspektet e jetës akademike. Dua të theksoj edhe ngritjen e bordit të ri të akreditimit, në të cilën kemi përfshirë profesorë shqiptarë dhe të huaj që punojnë në universitetet më të mira,” deklaroi Kushi.