Nga Pajtim Bello/ Nga foltorja në foltore Saliu komunikon sipas mënyrës tipike, përmes kodeve të tij. Është provuar se Saliu foltoren nuk e nisi për të hequr Lulzim Bashën apo për të shpëtuar PD. Largimin e Lulzim Bashës nga PD, Saliu e bën me një fishkëllimë apo me një xhest gishti prej strofullës së 7(shtatë) xhuxhave. Kjo në rastin më të mirë për Lulzimin sepse Saliu ka edhe metoda të tjera që i kemi parë të jenë përdorur. Imagjinoni një ditë kur në oborrin e PD të jenë mbledhur turmat e ithtarëve të Saliut dhe me britmat: “Luli ik!, Luli je i shitur!”…, t’ia ndërrojnë rrugën Lulit, ta detyrojnë të bëjnë mbrapa ktheu për në ndonjë kafene qyqarësh.

Ose ndodh që një mbrëmje në derën e shtëpisë së Lulit të shfaqen dy apo tre mesazherë, prej atij lloji që dërgohen për të zgjidhur mosmarrëveshjet brenda PD nëpër qarqe, ta përshëndesin dhe me delikatesë ti japin në dorë një zarf e ti thonë: “E ke prej doktorit!”. Brenda zarfit do të gjejë dy gisht letër me tekstin mbresëlënës të dorëheqjes nga kreu i PD dhe një biletë për në Amsterdam, vetëm shkuarje. Halli nuk është Lulzimi. Saliu kërkon t’iu kujtojë anëtarëve të PD, por jo vetëm se ai është në krye të partisë. Di gjithçka ka ndodhur. Si babë zemër gjerë e babaxhan ka bërë tolerime por tashmë ka ardhur koha që ta vejë gurin në vendin të vet! Dhe anëtarësisë i drejtohet me shprehjet që do t’ia kishte zili kushdo kalorës mesjetar, me siguri edhe vetë Don Kishoti i Mançes: “Përgjegjësia absolute i përket atij që ishte në timonin e PD, por edhe Sali Berisha ka përgjegjësi. Prandaj jam këtu për të kërkuar ndjesë!”.

Ndërkohë Saliu i dërgon një mesazh edhe hienave që i rrinë rrotull për të kafshuar prenë pas lufte. Me vendosmëri komuniste iu bën të qartë se Saliu nuk do ta lëshonte kurrë PD, në duart e askujt sepse ai nuk i beson as lëkurës së vet. Për të na provuar se është kështu prej Foltores nga Durrësi deklaroi: “Unë çdo gjë i thoja atij në zyrën time, dhe i kam të dokumentuara”. Duket që sistematikisht, në fshehtësi sipas zakonit të vjetër, Sali Berisha ka krijuar dosjen e komunikimit me mëkëmbësin e caktuar prej tij. E gjithë kjo për t’ia numëruar një ditë. Edhe hienat që i vijnë rrotull janë ish bashkpuntorë të tij dhe ai fare thjesht iu kujton se edhe për ata ka dosje në arkivin e vet; kështu që të mos ëndërojnë me sy hapur. Shprea e tyre është e vrarë.

Partia është e Saliut dhe ai do ta marrë atë me vehte kudo e kurdo. Mesazhi më i fortë shkon diku tjetër. Në telekronikat e foltoreve vërehet se kemi një paradë deputetësh të grupit Parlamentar prej ku Saliu është përjashtuar. Mesa duket në foltoren e fundit i vjen radha Lulzim Bashës nëse ky nuk do të ketë marrë udhën për Janinë, siç e këndon populli në këto raste!.. Ky mesazh shkon për ata të pabesë që merren me Lulzimin e pabesë. Shkon tek amerikanët, ku Luli na paskësh shitur Saliun. Saliu do të thotë se me atë janë anëtarësia dhe Grupi Parlamentar.

Askush të mos i përmënoje bajonetat me Saliun sepse do ti zërë sherri i madh. Por Saliut do ti ndodhë që një ditë në foltoren e fundit të ketë aq pak njerëz sa edhe ne foltoren e parë, apo edhe më pak, për më keq vetëm dy deputetë. Atëherë ai do të kuptojë se të pabesët janë shumë më shumë se sa i ka pas menduar. Në fund të fundit kjo është shkolla që iua ka mësuar vetë Saliu, i pabesi më i madh dhe ndaj të gjithëve. Në delirin e madhështisë do të gjejë edhe fundin e tij të merituar: i braktisur, i përbuzur dhe i mallkuar prej të vetëve!.. Kjo mynxyrë po afron dhe do ti trokasë në derë më shpejt nga se e mendon ai vet