Këtë vit projekti “Shkollat Qendër Komunitare” do të zbatohet në 200 shkolla të tjera. Fokusi i këtij projekti është rritja dhe forcimi i mëtejshëm i partneritetit “shkollë-familje-komunitet”.
Ministrja e Arsimit, Sportit dhe Rinisë Znj. Evis Kushi nëpërmjet një videoje informuese në rrjetin social Facebook nënvizon rëndësinë e fuqizimit dhe rritjes së numrit të “Shkollave Qendër Komunitare”.
“200 shkolla i shtohen këtij projekti të rëndësishëm në vitin shkollor 2021-2022. Kjo do të jetë një mundësi e mirë për rritjen e shkëmbimit të përvojave, bashkëpunimit, harmonizimit dhe hapjen e shkollave për komunitetin,”- shprehet ajo.
Në këto shkolla, krahas procesit mësimor, zhvillohen edhe aktivitete të ndryshme sportive, kulturore dhe artistike, duke shërbyer edhe në forcimin e raporteve dhe bashkëpunimit të shkollës me komunitetin, pushtetin vendor dhe organizata e institucione në vend.
Ky projekt mjaft i rëndësishëm i kthen shkollat në vendin ku bashkëpunohet për përmirësimin e arritjeve dhe zhvillimin e potencialit të plotë të çdo nxënësi. Gjithashtu, shkollat qendër komunitare janë një shtysë për nxitjen e vullnetarizmit për të shtuar kontribut në komunitet. Shkolla nuk duhet të jetë një mjedis i veçuar, por në shërbim të të gjithëve.