Policia Rrugore ka vijuar monitorimin e qarkullimit të automjeteve duke përdorur radarë e alkooltestues në rrugët interurbane Tiranë – Elbasan; Tiranë – Durrës dhe në orët e mbrëmjes në aksin Sauk – Teg për të parandaluar shpejtësinë tej normave të lejuara dhe drejtimin e mjetit nën efektin e alkoolit apo më keq akoma në gjendje të dehur.
Gjatë orëve të mbrëmjes, deri në orën 22:30, si rezultat i monitorimit me radar në aksin Sauk-Teg, konkretisht në Mjull Bathore, Policia Rrugore e Tiranës konstatoi 10 raste të shpejtësisë tej normave të lejuara, shpejtësi që varionte nga 131 km/orë deri në 156 km/orë.
Policia Rrugore u pezulloi drejtuesve të automjeteve lejen e drejtimit nga 1 deri në 5 muaj dhe vendosi masë administrative nga 10.000 deri në 20.000 lekë, si dhe zbritje nga 3 deri në 6 pikë nga leja e drejtimit.
Gjithashtu, u konstatuan dhe 11 raste me shpejtësi nga 119 km/orë deri në 127 km/orë, ku drejtuesit e mjeteve u ndëshkuan me masë administrative 2.000 lekë deri në 4.000 lekë.
Nga monitorimi me alkooltestues në të gjitha rrugët e Tiranës, janë evidentuar dhe arrestuar në kushtet e flagrancës 2 drejtues mjetesh në gjendje të dehur dhe 1 që drejtonte mjetin pa leje drejtimi.
Gjithashtu janë pezulluar 9 leje drejtimi për drejtim mjeti nën efektin e alkoolit, si dhe janë vendosur 15 masa administrative me vlerë nga nga 5.000 lekë deri në 15.000 lekë për drejtim mjeti nën ndikimin e alkoolit.
Policia e Shtetit apelon për zbatim me rigorozitet të rregullave të qarkullimit rrugor, pasi në rrugët nacionale dhe urbane në të gjithë vendin ka prezencë të lagështirës si pasojë e motit të keq.
Policia vijon monitorimin me patrulla të lëvizshme të Policisë Rrugore të kombinuara me Patrullat e Përgjithshme dhe “Shqiponjat” duke përdorur radarë, dragera, dronë, makina të paloguara, kamera e aparatë fotografikë.