Zëvendëskryeministri Arben Ahmetaj shprehet i bindur për nismën e marrë nga mazhoranca për të shtyrë mandatin e dy institucioneve të vettingut, KPK-në dhe Komisionerin Publik. Në një intervistë për News24, Ahmetaj tha se vettingu do të shtyhet dhe kjo do të bëhet sëbashku me votat e opozitës. Pavarësisht oponencës së bërë nga këta të fundit, Ahmetaj thotë se reforma në drejtësi do të ecë përpara pasi është në interes të qytetarëve shqiptarë. “Dialogu është tejet i domosdoshëm. Vendi ka nevojë për të gjitha palët, qoftë për mazhorancën që megjithëse është e fortë, po e shtrin dorën. Është në profilin tonë. Nuk është e detryeshme. Është e natyrshme. Nëse i referoheni vettingut, ajo është vetëm një element. Vettingu do bëhet, do përfundojë dhe jam i bindur që dhe opozita do vijë ta votojë pasi është pjesë e rëndësishme e reformës në drejtësi. Ne atë reform do e thellojmë akoma. Opozita e ka votuar, pavarësisht se në diskursin e tyre politik ata i vendosin emra të ndryshme, një thotë është Rama-forma. Ajo i përket gjithë shqiptarëve, u votua në parlament dhe do vazhdojë se është në favor të qytetarëve shqiptarë. Do bëhet vettingu, do e shtyjmë afatin. Bashkë do e shtyjmë. Jam i bindur në votat e opozitës” – tha Ahmetaj.

Përveç mazhorancë, edhe Operacioni Ndërkombëtar i Monitorimit ka kërkuar shtyrjen e mandatit të dy institucioneve të vettingut. Në një njoftim për mediat, vëzhguesit ndërkombëtar thanë se autoritetet shqiptare e kanë në dorë shtyrjen e mandatit, por duhen dhe konsultime me Komisionin e Venecias.

I pyetur nëse do të ketë sërish bashkëpunim dhe ulje në tryezë mes dy liderëve të partive kryesore në vend, Ahmetaj tha se për çështje madhore kjo është e rëndësishme. Por sipas Ahmetajt, nuk do të ketë tryezë bashkëpunimi për pazare me opozitën dhe as për përfitime.

A do të kërkonte uljen e Ramës dhe Bashës në një tryezë? “Për çështje të mëdha të shqiptareve është domosdoshmëri të ulen në tryezë liderët e të gjitha partive , për reformën në drejtësi për integrimin evropian apo për çështje të mëdha është e domosdoshme. Mund të mos biem dakord për të gjitha, shqiptaret na shofi qarte kush e ka seriozisht dhe kush jo. Unë nuk dua ti vë asnjë emër sjelljes së pozitës. Por në një reflektim qytetar do detyrohen, në kuptimin e ndërgjegjësimit politik që të ulen në tryezë. Zhvillimet e vendit të detyrojnë të ulesh dhe të dialogosh. Kështu që shtrirja e dorës për opozitën është e sinqertë dhe e domosdoshme” – tha Ahmetaj

Jeni mbështetës i një tryeze Rama-Basha? “Unë nuk formatoj uljen në tryezë, unë e konsideroj si një detyrë gati të përditshëm. A kemi dialoguar në fillim të pandemisë, a u bë diskutim ku ishin dy forca politike PS dhe PD. Ishte një moment i vështirë. U shkëmbyen mendime, nuk ramë dakord, për disa nuk ramë. Pra dialogu është nevojë e përditshme” – u shpreh Ahmetaj.

Çfarë i ofroni opozitës? “Ne nuk kemi asgjë për ti ofruar dhe ata asgjë s’kanë ca na ofrojnë, përveç detyrimit që kemi ndaj njerëzve dhe të diskutojmë gjera që janë në axhenden e qytetarëve.Nëse ju i referoheni uljes në tryeze më jep të jap që të bëj këtë për vendin, Edi Rama dhe PS  nuk e bën këtë. Nëse do ulemi dhe të themi këto janë çështjet dhe hajde të dialgojmë, po. Nuk është pazar më jep të jap” – tha Ahmetaj.