Shërbimet e Policisë Rrugore në të gjithë vendin, gjatë 48 orëve të fundit kanë ndëshkuar 2123 drejtues mjetesh, për shkelje të ndryshme që janë rrezik potencial për përfshirje në ngjarje rrugore.
Në të gjithë vendin janë konstatuar dhe arrestuar 26 drejtues mjetesh, nga të cilët 16 për drejtim mjeti në gjendje të dehur dhe 10 për drejtim mjeti pa leje drejtimi.
Po ashtu, janë pezulluar 82 leje drejtimi, nga të cilat 51 për shpejtësi mbi normat e lejuara, 25 për drejtim mjeti nën efektin e alkoolit dhe 6 për qarkullim në sens të kundërt.
Policia vendosi edhe 279 masa administrative me vlerë deri në 4.000 lekë për shpejtësi tej normave të lejuara dhe 76 masa administrative me vlerë 5.000 lekë, për drejtim mjeti nën efektin e alkoolit.
Policia e Shtetit, nisur nga fakti se në fundjavë akset rrugore në drejtim të zonave bregdetare dhe turistike kanë fluks të shtuar, ka marrë masa shtesë për të monitoruar qarkullimin e automjeteve.
Në këtë drejtim, Policia apelon për të gjithë përdoruesit e rrugës në tërësi, veçanërisht drejtuesit e mjeteve, motomjeteve dhe çiklistët, që të tregojnë kujdes dhe të zbatojnë me rigorozitet rregullat e qarkullimit rrugor, pasi gjatë fundjavës lëvizjet në disa akse rrugore janë më të shtuara.
Të gjitha rrugët nacionale dhe urbane në të gjithë vendin janë të monitoruara me patrulla të lëvizshme të Policisë Rrugore, duke përdorur radarë, dragera, dronë, makina të paloguara, kamera e aparate fotografike.
Policia e Shtetit fton qytetarët që të denoncojnë në Komisariatin Dixhital dhe në numrin e emergjencave 112, çdo paligjshmëri.