Ekonomia ka shënuar një rritje të ndjeshme në tremujorin e dytë të këtij viti. INSTAT raportoi se zgjerimi i prodhimit të brendshëm bruto (PBB) për periudhën prill-qershor ishte 17.9% me bazë vjetore. Ky përmirësim ishte i pritshëm teksa në të njëjtën periudhë të vitit të kaluar vendi vuajti një krizë të thellë si rrjedhojë e karantinës së detyruar nga Covid-19, çka bëri që PBB-ja të binte me 10.2%. Rritja në tremujorin e dytë të këtij viti u udhëhoq nga industria nxjerrëse, tregtia, transporti e akomodimi ushqimor dhe ndërtimi. Të gjithë sektorët janë rikuperuar me zgjerim dyshifror, por më e fortë rritja ishte për ndërtimin, industrinë, tregtinë, artet argëtim e çlodhje, tregtinë. Më e ulëta ishte për aktivitetet e pasurive të paluajtshme, që ishte e vetmja vitin e kaluar me zgjerim pozitiv.
INSTAT raportoi se produkti i Brendshëm Bruto (P.B.B) në tremujorin e dytë të vitit 2021 vlerësohet me rritje prej 17,89 %, kundrejt tremujorit të dytë të vitit 2020. Kontribut pozitiv kanë dhënë degët: Industri, Energji dhe Uji me +4,13 pikë përqindje, Tregti, Transport, Akomodim dhe Shërbim ushqimor me +4,09 pikë përqindje, Ndërtimi me +3,42 pikë përqindje, Administrata publike, Arsimi dhe Shëndetësia me +1,56 pikë përqindje, Aktivitete profesionale dhe Shërbime administrative me +1,04 pikë përqindje, Aktivitete të pasurive të paluajtshme me +0,64 pikë përqindje, Arte, argëtim dhe çlodhje; aktivitete të tjera shërbimi me +0,59 pikë përqindje, Aktivitete Financiare dhe të Sigurimit me +0,50 pikë përqindje, Informacioni dhe Komunikacioni me +0,38 pikë përqindje, Negativisht kontribuan aktivitetet: Bujqësi, Pyje dhe Peshkim me 0,19 pikë përqindje.
Taksat Neto mbi produktet kontribuan pozitivisht me +1,73 pikë përqindje. Degët kryesore të ekonomisë, për tremujorin e dytë të vitit 2021, krahasuar me tremujorin e dytë të vitit 2020, shfaqen si më poshtë: Aktiviteti i Bujqësisë, Pyjeve dhe Peshkimit pati një rënie me 0,61 %. Aktiviteti i Industrisë, Energjisë dhe Ujit pati një rritje me 39,85 %. Aktiviteti i Ndërtimit pati një rritje me 41,68 %. Grupi i aktiviteteve Tregti, Transport, Akomodim dhe Shërbim ushqimor pati një rritje prej 31,80%. Grupi i aktiviteteve Informacioni dhe Komunikacioni u shfaq me rritje prej 13,34 %. Aktiviteti Financiar dhe i Sigurimit ka shënuar një rritje prej 27,31%.
Aktiviteti i Pasurive të Paluajtshme ka shënuar një rritje prej 10,09 %. Grupi i Aktiviteteve profesionale dhe Shërbime administrative u shfaq me një rritje prej 18,48 %. Grupi i aktiviteteve të Administratës Publike, Arsimit dhe Shëndetësisë u shfaq me rritje prej 13,06 %. Grupi i aktiviteteve Arte, argëtim dhe çlodhje, Aktivitete të tjera shërbimi pati një rritje me 34,04 %. Taksat Neto mbi produktet u rritën me 13,96 %. Sa i përket ndryshimeve në krahasim me tremujorin paraardhës, treguesi i Produktit të Brendshëm Bruto vlerësohet me një rritje prej 2,11 %. Aktiviteti i Bujqësisë, Pyjeve dhe Peshkimit u shfaq me një rënie prej 0,23 %. Aktiviteti i Industrisë, Energjisë dhe Ujit shënoi rritje prej 6,75 %. Aktiviteti i Ndërtimit shënoi një rritje me 9,09 %. Aktiviteti Tregti, Transport, Akomodim dhe Shërbim ushqimor shënoi një rritje prej 1,71 %.
Aktiviteti Informacioni dhe Komunikacioni pati një rritje me 5,26 %. Aktiviteti Financiar dhe i Sigurimit pati një rënie prej 3,93 %. Aktiviteti i Pasurive të Paluajtshme shënoi një rritje me 3,04 %. Grupi Aktivitete profesionale dhe Shërbime administrative shfaqi një rritje prej 3,01 %. Aktiviteti i Administratës Publike, Arsimit dhe Shëndetësisë u shfaq me një rënie prej 0,60 %. Aktiviteti i Arte, argëtim dhe çlodhje, Aktivitete të tjera shërbimi u shfaq me një rritje prej 0,62 %. Taksat Neto mbi produktet patën një rritje me 0,52 %.
Konsumi rritet me gati 10% Komponentët kryesorë të PBB–së me metodën e shpenzimeve, për tremujorin e dytë të vitit 2021, krahasuar me tremujorin e dytë të vitit 2020, shfaqen si më poshtë: Konsumi final i popullatës, i cili përbën peshën kryesore të shpenzimeve në ekonomi u rrit me 9,83 %. Konsumi final i qeverisë u rrit me 10,97 %. Komponenti i Formimit bruto të kapitalit fiks u rrit me 35,72 %. Eksportet e mallrave dhe shërbimeve u rritën me 130,55 %, ndërsa Importet e mallrave dhe shërbimeve u rritën me 53,64 %. Sipas të dhënave të përshtatura sezonalisht, ndryshimet në krahasim me tremujorin paraardhës, shfaqen si më poshtë: Konsumi final i popullatës pësoi një rënie me 0,46 % krahasuar me tremujorin e parë të vitit 2021.
Konsumi final i qeverisë u rrit me 1,91 %. Komponenti i Formimit bruto të kapitalit fiks shënoi një rritje me 7,30 %. Eksportet e mallrave dhe shërbimeve u rritën me 10,73%, ndërsa Importet e mallrave dhe shërbimeve u rritën me 1,98 %./Monitor