Tirana, kryeqyteti i larmishëm po mirëpret përherë e më shumë turistë të huaj të cilët zgjedhin të shijojnë bukuritë dhe atraksionet turistike tashmë jo duke qëndruar vetëm një ditë, por edhe më shumë.
Transformimet që ka pësuar Tirana e kanë bërë atë të jetë në listën e destinacioneve evropiane.
Kryeministri Edi Rama publikoi një video teksa grupe të ndryshme turistësh bëjnë foto në vende të ndryshme të kryeqytetit në këtë fillim shtatori, duke fiksuar në aparatin fotografik pamje mbresëlënëse nga Tirana.
“Tirana po bëhet çdo ditë e më shumë turistike. Një destinacion kurioz për të huajt që me një shëtitje të thjeshtë të dalin të gjithë grupe-grupe para syve”, shprehet Rama.
Grupet e turistëve i gjen kryesisht tek sheshi “Skënderbej”, te “Kalaja e Tiranës” dhe te “Pazari i Ri”. Ndërsa nuk mbeten pas vendet historike dhe kulturore të kryeqytetit.
Grupet e turistëve në Tiranë me aparate fotografike në duar fokusojnë detaje interesante nga kryeqyteti, duke filluar nga objektet e kultit dhe muzetë që tregojnë të kaluarën tonë.
Tirana është pa dyshim një nga qytetet më të gjalla e më në shndërrim të Evropës Juglindore. Ajo është kthyer në një qendër atraksioni turistik për turistë të huaj nga rajoni, Evropa, por edhe më gjerë.