Për herë të parë është realizuar me sukses ndërhyrja neurokirurgjikale e heqjes së tumorit kranial në spitalin rajonal Memorial të Fierit, falë bashkëpunimit të ekipit shqiptaro-turk. Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ogerta Manastirliu vlerësoi sot punën e shkëlqyer të mjekëve neurokirurgë, dr. Yasin Gokturk dhe dr. Klaudio Disha. “Çdo ditë e më tepër po rritet gama e shërbimeve në spitalin Memorial të Fierit, duke krijuar një pol të ri shërbimi të specializuar për qytetarët, afër vendbanimit”, tha Manastirliu. Spitali Rajonal Memorial Fier u ofron shërbim 550 mijë banorëve të jugut. Në total, ai ka një ekip prej 206 punonjësish, prej të cilëve 53 janë staf turk dhe 153 staf shqiptar.
I ndërtuar në një kohë rekord, me një kapacitet prej 150 shtretërish, spitali rajonal Memorial i Fierit është investim i Republikës së Turqisë dhe ofron shërbime të nivelit terciar për të gjithë rajonin e jugut.
Spitali po administrohet dhe menaxhohet nga një ekip i përbashkët shqiptaro-turk, të cilët po punojnë për të formësuar modelin e ri të autonomisë spitalore në sektorin publik.
Spitali rajonal Memorial Fier ofron shërbimet e urgjencës, kirurgjisë, neurokirurgjisë, kirurgjisë kardiovaskulare, mjekësisë interne, kardiologjisë, neurologjisë, sëmundjeve infektive, pneumologjisë, shërbimin e ortopedisë dhe traumatologjisë.