Nënkryetari i Partisë Demokratike në Durrës, Neritan Golja ka reaguar pas dorëheqjes së Ferdinant Xhaferrajt nga kandimi për Kryesinë e Partisë.
Me anë të një shkrimi, Golja thotë se qyteti bregdetar është kthyer në një plaçë tregu e se në vend që struktura e PD-së të ishte e bashkuar në një front të përbashkët, është kthyer në betejë personale e Xhaferrajt.
Më tej, nën kryetari thotë se Xhaferraj u fokusua që të performojë betejat e tij personale, duke sfiduar PD-në dhe lidershipin e saj me dorëheqjen nga kandidimi për në Kryesinë e Partisë.
Golaj shton se PD-ja e Durrësit, nuk e ka luksin e sfidave individuale brenda partisë, e aq më pak të reklamojnë dorëheqje nga forumet, apo distancime simbolike që tentojnë të dyzojnë betejën e përbashkët.
Postimi i plotë:
Durrësi vijon të shihet si një plaçkë tregu. Në zgjedhjet e 25 Prillit u pa qartë se cilat ishin grupet e favorizuara nga pushteti, të cilët u vunë në dispozicion të socialistëve, duke u bërë pjesë e masakrës zgjedhore, duke deformuar vullnetin e durrsakëve.Pikërisht, pas kësaj situate të rënduar për qytetin tonë, e gjithë struktura e Partisë Demokratike në qytetin tonë duhej të ishte bashkuar në një front të përbashkët për të kërkuar aleancën me qytetarët.
Por kreu i Degës së PD-së-së në qytetin tonë, z.Xhaferraj, në vend të kërkimit të një angazhimi të ri të gjithë strukturave të degës në rrugëtimin e rëndësishëm të rikthimit të një aleance të re me qytetarët, u fokusua që të performojë betejat e tij personale, duke sfiduar PD-në dhe lidershipin e saj me dorëheqjen nga kandidimi për në Kryesinë e Partisë. Ne, si drejtues të degës së PD-së në Durrës, duhet të jemi të fokusuar në një aleancë të re me qytetarët, që t’ i kthejmë sa më parë qytetit një qeverisje të denjë.Nuk besoj se kemi luksin e sfidave individuale brenda partisë, e aq më pak të reklamojnë dorëheqje nga forumet, apo distancime simbolike që tentojnë të dyzojnë betejën tonë të përbashkët.Eshtë koha të jemi të gjithë bashkë, në një sfidë përballë pushtetit, jo në një sfidë për të treguar kufij bashkëpunimi brenda forumeve tona.