Trajneri i Manchester Unitedit, Ole Gunnar Solskjaer, e ka lartësuar David de Gean si portierin më të mirë në botë, pasi spanjolli bëri paraqitje të shkëlqyeshme për t’i ndihmuar Unitedit ta mposhtë Villarrealin të mërkurën. De Gea i bëri plot gjashtë pritje për ta udhëhequr Manchester Unitedin drejt fitores 2:1 ndaj Villarrealit në Ligën e Kampionëve.  Shumicën e pritjeve ai i bëri në kohën kur ekipi spanjoll po e mbizotëronte Unitedin në Old Trafford.

Pas ndeshjes, Solskjaer e veçoi De Gean si lojtarin e ndeshjes, pavarësisht se Cristiano Ronaldo e shënoi golin e triumfit në çastet e fundit të ndeshjes. “Fatmirësisht sonte e kishim portierin më të mirë në botë. David ishte fantastik. Në pjesën e dytë, ata e kishin topin më shumë, ishte lojë e hapur dhe ata e merituan epërsinë”, tha Solskjaer. “De Gea e kishte një verë të vështirë. Ai shkoi në Euro dhe nuk luajti atje, por ai u rikthye me përkushtim, me punë të cilën e shijoj unë. Ai na shpëtoi sonte. Sot David ishte njeriu i ndeshjes”, shtoi ai.