Pas takimit me kryeministri Edi Rama presidentja e Komisionit Europian Ursula Von Der Leyen ka dhënë një mesazh të qartë për integrimin e Shqipërisë në BE. Ajo shkruan në një status në rrjetet sociale se e ardhmja e Shqipërisë është në BE dhe KE i qëndron këtij angazhimi.
Von Der Leyen shton se Shqipëria e ka bërë të qartë këtë gjë me përparimin në Reformën në Drejtësi dhe tani i takon Bashkimit Europian të bëjë pjesën e tij. “E kënaqur që fillova vizitën time në Ballkanin Perëndimor në Shqipëri. Mesazhi im është i qartë: e ardhmja e Shqipërisë është në BE. Komisioni Europian i qëndron fort këtij angazhimi. Me përparim të mirë në reformat në drejtësi, Shqipëria e ka bërë të qartë. Tani BE -ja duhet të bëjë të njëjtën gjë”, shkruan ajo.
Ursula Von Der Leyen mbërriti në Shqipëri rreth orës 09:00. Pas Ramës, ajo do të ketë një takim në presidencë me kreun e shtetit Ilir Meta.