Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç deklaroi se qeveria e tij mbetet e përkushtuar në lidhje me dialogun me Kosovën. Këtë deklaratë ai e ka bërë gjatë një takimi që pati sot me ndihmëssekretarin e Përgjithshëm të Organizatës së Kombeve të Bashkuara për Evropën, Azinë Qendrore dhe Amerikën, Miroslav Jenqa, duke shtuar se OKB-ja është organizata më e rëndësishme ndërkombëtare me rëndësi të veçantë për sovranitetin dhe integritetin territorial të Serbisë.
Të dy bashkëbiseduesit diskutuan për situatën në Ballkanin Perëndimor dhe ranë dakord se Serbia dhe OKB -ja janë partnerë në ruajtjen e paqes dhe stabilitetit në rajon. Mes të tjerash Vuçiç tha se Beogradi mbetet i përkushtuar për të vazhduar dialogun me Prishtinën dhe për të gjetur një zgjidhje kompromisi për çështjen e Kosovës.