I pranishëm në 30-vjetorin e fondacionit gjerman i Fondacionit ‘Friedrich Ebert’ në Shqipëri, u ndal edhe te procesi i hapjes së negociatave në BE. Rama tha se vendi ynë është ‘dhëndër në tentativë’ për t’u anëtarësuar, por theksoi se ky nuk është proces për të humbur fokusin për ta çuar vendin përpara.
“Ky është një proces ku nuk duhet ta humbim fokusin nga fakti që jemi në këtë proces jo se na e kanë imponuar të tjerët, por që e ka zgjedhur populli vetë për t’u bërë pjesë me të drejta të plota e familjes së bashkuar europiane. Duke mbajtur këtë parasysh duhet të vazhdojmë të bëjmë edhe më shumë se kemi bërë. Të bëjmë më shumë se bëmë dje, pavarësisht se çfarë vendimesh merren në Bruksel, apo stër-stër kushtesh shfaqen deri në Bullgari. Këto janë të ndara me njëra tjetrën. Kjo është zgjedhja jonë dhe detyrimi ynë. Ky është borxhi ynë ndaj fëmijëve tanë dhe gjeneratave të tjera. Pavarësisht se çfarë statusi kemi. Nëse quhemi kandidat. Ka vite që jemi kandidatë dhëndurë në tentativë të familjes europiane. Prej disa vitesh dhëndurë në tentativë me BE”, tha Rama.
Për iniciativën ‘Ballkani i Hapur”, Rama u shpreh se është ideja e duhur në kohën e duhur, duke shtuar se për Rajonin nuk ka mundësi tjetër veçse shtetet të hapen me njëri-tjetrin
“Ballkani i hapur është ideja e duhur në kohën e duhur, të gjithë do ta përqafojnë, ne nuk kemi kohë për të humbur. Kjo është e ardhmja s’ka asnjë mundësi tjetër veçse të hapemi me njëri tjetrin”, u shpreh kryeministri.