Kryeministri Edi Rama ka marrë pjesë në ceremoninë e 30 vjetorit të United Nations Development Programme (UNDP) në Shqipëri. Teksa ka shprehur mirënjohje për punën e programit të bërë prej vitesh në vendin tonë, Rama tha se programi i UNDP është një milingonë, por si një milingonë arrin të bëjë të mundur një sasi të paimagjinueshme pune.
Në fjalën e tij, Rama u shpreh se është në disavantazh me ambasadoren e Suedisë, për shkak se fjala e tij nuk mund të jetë në lartësinë e fjalës së saj, sepse ai nuk ka pasur asnjë histori dashurie me UNDP.
Rama: Shqipëria hyri në Kombet e Bashkuara në dhjetor të 1955, por u deshën 36 vjet që të hynte në një marrëdhënie domethënëse me UNDP. Në atë kohë qëllimi i vetëm i UNDP ishte t’i jepte sa të mundej oksigjen vendit në një moment ndryshimi dramatik që bashkë me lirinë kishte sjellë edhe një mal me sfida dhe vështirësi.
Është vërtetë thuajse e paimagjinueshme që në harkun e një jete të kemi pasur fatin të shohim dy botë të ndryshme njëra me tjetrën. Nga ana tjetër janë shumë gjërat që janë bërë në këto 30 vite nga ky bashkëpunim mes programit dhe qeverisë dhe për hir të së vërtetës më bën përshtypje se programi ka qenë i pranishëm në të gjitha momentet më kritike të këtij procesi kaq të jashtëzakonshëm të transformimit të vendit nga një diktaturë e mbyllur në një demokraci në ndërtim e sipër.
Programi ka qenë i pranishëm me hapjen e shkollës së parë publike të administratës, në momentin e trazirave të mëdha të 1997 ku përmes UNDP u pilotua nisma e armëve në këmbim të zhvillimit.
Na është dashur të gjitha këto gjëra t’i mësojmë njësoj si fëmijët abetaren dhe në këtë rast jo 1, 2, 3 apo 100 individë, por një shoqëri e tërë është dashur të hyjë në luftë me analfabetizmin dhe këtu besoj se programi ka një dorë që është e paharrueshme në historinë e vendit tonë.
Ka qenë këtu kur na është dashur të përballemi me çështjet e përmbytjeve duke u bërë një urë mes vendit tonë dhe BE-së, si dhe në rastin e rindërtimit si pasojë e tërmetit, ku programi mundëson kalimin në një urë të gjithë donatorëve.
Programi mbetet një faktor me një rëndësi të veçantë në jetën e vendit tonë, shoqërisë, politikës, në sensin e shoqërimit të të gjithë përpjekjeve të aktorëve vendimmarrës që nga vendimet për reformat.
Fjala ime nuk është në lartësinë e fjalës së ambasadores së Suedisë sepse unë nuk kam pasur asnjë histori dashurie me UNDP dhe në këtë pikë jam në disavantazh, por besoj që në këtë rast nuk është pa vend që të numërohen gjërat e bëra.
Programi është një milingonë në raport me elefantët e mëdhenj që i kemi të pranishëm dhe për herë të parë nuk janë këtu për të marrë fjalën, por si një milingonë arrin të bëjë të mundur një sasi të paimagjinueshme pune për përmasat që ka.
Në fund të rrugëtimit të saj është fakt që volumi i punës së kryer dhe sasitë e ngarkesave në raport me njësinë që përfaqëson milingona janë më të mëdha se sasitë e ngarkesave që mbajnë trupa dhe entitete shumë të mëdha. Faleminderit për gjithçka keni bërë për vendin tonë. Jam i sigurt që në të shkuarën kanë qenë të tjerë, në të ardhmen do jenë të tjerë, ajo që do të mbetet do jetë prezenca e programit në Shqipëri dhe natyrisht do të bëhet gjithmonë e më e vështirë për ata që vijnë pas, që të zgjedhin kë të përmendin mes shumë e shumë punëve që ju do të vazhdoni të bëni.