Zëvendëskryeministri i Shqipërisë, Arben Ahmetaj, tha se këtë javë kryeministri Edi Rama do të shpalosë masat se si do të përballohet kriza energjetike, që ka prekur të gjithë botën. Ahmetaj tha se çmimet e energjisë në vend nuk po rriten.
“Situata energjetike në vend është e lidhur me krizën globale. Ju e keni dëgjuar dhe lexuar se çfarë po ndodh në tregun ndërkombëtar të energjisë elektrike që përfshin që nga shtimi i kërkesës për energji për shkak të ringritjes ekonomike në të gjithë botën, për shkak të sjelljes së Rusisë që është brenda karakterit gjeopolitik të çmimit të gazit. Një faktor tjetër, është dekomisionimi i centraleve të karbonit në Gjermani dhe Spanjë.
Çmimet lëvizin në vazhdimësi, çdo ditë. Një pjesë e mirë e vendeve e kanë transformuar koston te konsumatorët. Kryeministri ka ngritur një grup ndërinstitucional për të menaxhuar, monitoruar çdo moment ecurinë e situatës energjetike. Unë i referohem asaj që kryeministri ka thënë që vala e çmimeve ndërkombëtare prek edhe Shqipërinë, por ne jemi të bindur të gatshëm për të mbrojtur konsumatorin familjar dhe biznesin e vogël. Brenda javës kryeministri do të shpalosi vetë masat për mbrojtjen e qytetarëve dhe sipërmarrjes së vogël dhe në nevojë të qetësimit publik, ne do të vijojmë të mbrojmë konsumatorin familjar nga kriza e çmimeve dhe rritja e kostove për shkak të këtyre çmimeve.
Kompanitë janë duke punuar vazhdimisht për të siguruar energji elektrike, gjë që dua ta ndaj me qytetarët që sigurisht është e garantuar dhe qytetarët do të vijojnë të mbrohen, ashtu si dhe familjarët dhe sipërmarrjet e vogla. I garantoj qytetarët dhe sipërmarrjen e vogël që do të mbrohen nga qeveria. Paketa specifike do të lançohet nga kryeministri në ditët që vijnë. Dua ta ritheksoj se kryeministri ka krijuar një grup ndërinstitucional që monitoron dhe menaxhon situatën për ditë. Çmimet e energjisë nuk po rriten. Ne po i monitorojmë dhe kryeministri do të dalë me një paketë të plotë në ditët në vijim, që do të jetë mbështetëse për familjarët dhe sipërmarrjen e vogël”, tha Ahmetaj.