Zëvendëskryeministri Arben Ahmetaj deklaroi sot se qeveria do të publikojë brenda 48 orësh një platformë masash që do të mbrojnë familjet dhe biznesin e vogël që gjeneron punësim nga kriza globale e energjisë dhe nga ana tjetër do të garantojë furnizim pa ndërprerje të energjisë.

Gjatë seancës plenare të Kuvendit, Ahmetaj ftoi opozitën të japë kontributin e saj në zgjidhjen e momenteve të vështira që kalon vendi.

“Kriza energjetike ka prekur të gjithë botën. Këtu nuk kemi rritur çmimet e energjisë. Duroni 48 orë do të vijmë me një plan ambicioz ju ftoj ta mbështesni. Po ringrihemi, por nuk biem dakord të mos i referohemi të vërtetës. Ka vend për të kontribuuar në kohë krize edhe nga ju”, tha Ahmetaj.

“Nuk është TVSH që mbron qytetarët nga rritja e çmimeve. Po ajo që bën qeveria, që mban çmimet të subvencionuara. Janë masa rregullatore që të garantojmë mbrojtjen e shtresave në nevojë të familjeve, sipërmarrjes së vogël që gjeneron punësim dhe të garantojmë furnizim të pandërprerë të energjisë“, iu përgjigj Ahmetaj në Kuvend akuzave të opozitës për rritjen e varfërisë në vend dhe propozimit të saj për ulje TVSH-je si masë për uljen e çmimeve në treg.

Ahmetaj po ashtu deklaroi se deri në fund të këtij viti do të kenë mbërritur në vend 3 milionë vaksina.

“Përgjegjshmëria e mazhorancës shihet te blerja më parë se kushdo tjetër në rajon e vaksinave. Kjo bëri që fatalitetet fatkeqësisht të ishin prezent por shumë më të ulëta se në shumë vende, qoftë rajonit, qoftë botës. Sot kemi shumë më pak vdekje për shkak të kujdesit shëndetësor, heroizmit të bluzave të bardha dhe përgjegjshmërisë së institucioneve shtetërore dhe vaksinimit. Janë 1 milion e 700 mijë të vaksinuar në vend. Ky proces kurseu jetë. Deri në fund të vitit do të kemi 3 milionë vaksina. Ka vende që ende po kërkojnë në dyert e Europës vaksina. Ne i kemi”, deklaroi Ahmetaj.

Ahmetaj po ashtu i kujtoi opozitës se nuk shpëton vendi nga varfëria me klithma populiste.

“Mund të flasësh për varfërinë me klithma populiste por nuk e shpëton. Nuk funksionon ulja e TVSH-së, nuk shkon te konsumatori. Përkundrazi e dëmton, pasi i heq buxhetit instrumente për tu shërbyer të varfërve apo kryer shërbime të tjera . Shkojnë te ata që ju i shani këtu si oligark. I tillë është shembulli i inputeve bujqësore. E bëmë me pasion. Hoqëm TVSH nuk ndryshoi çmimi, 2.2 miliardë lekë shkuan te tregtarët”, deklaroi zv/kryeministri.

Sa i takon akuzave për varfërinë, Ahmetaj tha se situata nuk është rozë, por debati duhet futur në kontekst dhe shifrat nuk e thonë këtë.

“U thua shqiptarëve se u varfëruan, por kursimet e vogla janë rritur. Po ashtu rritet kredia për herë të parë deri 7 % . Duhet thënë se kemi edhe rritje ekonomie. Ka dalë raporti i Bankës Botërore. E konsideron Shqipërinë me rritjen më të madhe në rajon, falë punës, masave për sipërmarrjen, të cilën e mbështetëm. I kemi rimarrë të gjitha vendet e punës. Humbi gjithë Europa vende pune. Por në Shqipëri vendet e punës u rimorën për shkak edhe të elasticitetit të tregut, por edhe asaj që bëjnë sipërmarrësit apo edhe mbështetjes së qeverisë. Fakt ky që theksohet edhe nga BB. 50 mijë vende pune janë shpëtuar nga mbështetja që kemi dhënë, 283 mijë qytetarë kanë përfituar, 5 % e prodhimit të brendshëm bruto”, deklaroi ai.