Erling Haaland është sulmuesi më i dëshiruar nga klubet më Evropë. Futbollisti norvegjez 21-vjeçar i Borussia Dortmund po kërkohet nga PSG, Real Madrid, Bayern Munich, Manchester United dhe Manchester City, që synojnë para të gjithëve në merkaton e ardhshme dimërore. Po së fundmi duket se edhe Barcelona ka hyrë në lojë. Klubi katalanas është plotësisht i vetëdijshëm se nuk do të jetë në gjendje dhe as nuk dëshirojë të hyjë në një ankand në janar, sepse nuk i ka financat për ta bërë këtë. Gjithsesi, klubi blaugrana nuk po qëndron indiferent.
Së pari, kërkon të bind lojtarin dhe familjen e tij, për ta vënë Haaland në qendër të projektit, duke e kthyer në një idhull të ri në Camp Nou. Por kjo ide pritet të zbatohet verën e ardhshme, kur për norvegjezin hyn në fuqi klauzola prej 75 milionë eurosh që Dortmund detyrohet ta shesë nëse futbollisti kërkon largimin. Këtë shumë Barcelona verën e ardhshme mund ta paguajë. Sidoqoftë, pengesë e madhe do të ishte menaxheri i tij, që kërkon komision të majmë. Klubi katalanas nuk ka pasur dhe nuk ka marrëdhënie të mira me agjentin e Haaland, por nëse bindin lojtarin dhe familjen, gjithçka merr formë. E vështirë, por jo e pamundur për Barcelonën, që në treg luan edhe me emrin e madh që ka.