Kryetari i grupit parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla, njëkohësisht deputet i qarkut Elbasan, vlerësoi sot ndikimin që sjell në punësimin e banorëve të zonës, ndërtimi në Cërrik i një impianti të kompostimit të mbetjeve organike. Balla i shprehu mirënjohjen qeverisë gjermane dhe GIZ Albania për projektet e shumta që kanë çuar përpara.

Falë këtij bashkëpunimi, tha Balla, arritëm të ndërtojmë në Cërrik një impiant të kompostimit të mbetjeve organike.

Mbetjet transformohen në pleh organik, e plehu u shitet fermerëve ose përdoret për hapësirat e gjelbra të Bashkisë Cërrik. Aty janë punësuar afro dhjetë profesionistë të trajnuar nga ekspertët e GIZ/DKTI dhe mbështeten nga 85 punëtorë sezonalë që angazhohen në grumbullimin, pastrimin dhe në trajtimin e mbetjeve, tha Balla.

Impianti është pjesë e projektit Menaxhimi i modernizuar i mbetjeve dhe ekonomia ricikluese në respekt të mjedisit, i cili financohet nga qeveria gjermane me 4,8 milionë euro (me rreth 590 milionë lekë) dhe zbatohet nga GIZ.

Impianti i kompostimit filloi punën në maj 2021 dhe që atëherë ka gjeneruar 400 tonë lëndë organike në 300 tonë material të kompostuar, i cili përdoret për të përmirësuar cilësinë e tokave në bashkinë e Cërrikut.

Nga ky projekt përfitojnë 35.000 banorë të bashkisë Cërrik.