Nga Skënder Minxhozi/
“Do pastrojmë llumin, do luftojmë korrupsionin, PD s’mund të jetë parti antiamerikane, nuk e kthejmë partinë në bunker të interesave personale”, thotë i pari. “Do ringremë PD, do heqim kryetarin që na la përjetësisht në opozitë dhe që nuk fiton dot kurrë, do rrëzojmë patericën e Ramës, do rinisim protestat”, ja pret i dyti.
Po të dëgjosh këto ditë Lulzim Bashën dhe Sali Berishën ke përshtypjen se kanë qenë armiq prej shekujsh, se nuk kanë ndarë kurrë të njëjtën zyrë, llogore politike, të njëjta mendime e linja politike, madje që nuk ndajnë mes tyre as stafetën e drejtimit të një partie që ka marrë tatëpjetën e s’po di të ndalet. Berisha dhe Basha janë në kurs total përplasjeje dhe e vetmja që do e pësojë është PD megjithë çka brenda.
Berisha dhe Basha ishin të gatshëm ta shtrinin paqen e tyre të shtirë e hipokrite edhe pas 25 prillit. I pari, me kusht që kryetari ta linte të qetë në liturgjinë e tij prej lideri historik dhe instance supreme brenda partisë. I dyti, me kusht që paraardhësi i tij të mos ngrinte zërin e të mos ngryste vetullat sa herë që ai humbte. Domethënë çdo dy vjet afërsisht.
Provat e kësaj loje të pisët në kurrizin e demokratëve të thjeshtë janë në vitrinë, në sytë e të gjithëve. Berisha e toleroi Bashën në 25 prill, i la fushë të lirë të shtypte me këmbë rivalët në të hyrë të verës, duke u rizgjedhur kryetar në mes të një depresioni nervash të pashoq që kishte kapluar të gjitha katet e Partisë Demokratike. Partia ishte në zi, por kishte një kryetar të ri. Që në fakt ishte ai i vjetri, i cili sapo kishte humbur për herë të katërt përballë Edi Ramës.
Por Berishës aq i bënte. E la Lulin të gëzojë paqen e shtirë në zyrën që dikur kishte qenë e tij, vetëm e vetëm që ish-nxënësi i tij të sprapste sulmet e pritshme nga jashtë. Domethënë nga SHBA.
Shkelja e kësaj marrëveshjeje nga Basha është shkaku i vetëm i asaj që po shohim sot në PD. Nëse pyet një përkrahës të Lulit a do e kishin goditur Doktorin po të mos jua kishte kërkuar këtë gjë Amerika, të përgjigjet fët e fët se nuk do e hidhnin atë hap. Nuk ka nevojë të mendohet fare, e ka në majë të gjuhës përgjigjen. Pra, janë “dokrra hini”, siç thoshte Fishta i madh, përbetimet e sotme për pastrimin e llumit në parti, për ndarjen me të shkuarën etjetj. Është e gjitha një valle ku palët i hedhin këmbët me detyrim e përcaktim, sipas ahengut amerikan.
Në rrafshin e perspektivës, asaj që pritet të ndodhë në të ardhmen e afërt, të krijohet përshtypja se të dy kalorësit janë të bindur se po bëjnë më të mirën për partinë. Basha po përpiqet të bindë grigjën rreth vetes se këto tetë vite e ka penguar Berisha që të jetë vetvetja. Megjithëse i ka vënë surratin dhe shpatullat Çadrës, dorëzimit të mandateve, protestave me molotov e braktisjes së zgjedhjeve, Luli po tenton të kryejë këto orë një operacion makijazhi. I cili konsiston në faturimin e gjithçkaje të zezë tek dera e Sali Berishës. Ma hiqni qafe, e do t’ju sjell në pushtet, duket sikur thotë në çdo hap që hedh. Edhe ata që i rrinë afër e dinë mirë se ky që flet është autosugjesioni i Lulit, jo vetë Luli.
Nuk duhet shumë njohuri politike dhe nuk duhet të kesh lexuar shumë gazeta, për ta ditur se edhe kësaj rradhe Basha po gënjen. Duke premtuar një erë të re, një vit zero të presidencës së tij në PD, Lulzim Basha po përpiqet të ngrejë një kështjellë rëre, e cila po kërkon të bëjë kurban vetëm trashëgiminë e Berishës, pa futur askund në faturën e humbjeve tetëvjeçare veten e tij. Është një operacion sa grotesk e qesharak amputimi të së shkuarës. Sepse i bie që Luli të ketë qenë një buratin nga ata që trembin harabelat, pa zë, pa tru, pa shtyllë kurrizi. Jo se i ka pasur me tepri këto, por edhe që s’ka qenë fare në zyrën e tij në vitet 2013-2021, këtë s’mund ta besojë kush.
Berisha nga e tij po tenton të bëjë një operacion plastik edhe më radikal dhe absurd në imazhin e tij historik. Po thotë se PD ka respektuar debatin e brendshëm, se ka zgjedhur mes kandidaturave që kanë bërë garë, se do të ndërtojë një parti ku do respektohen me rigorozitet rregullat dhe demokracia etjetj. Po thotë pra një grumbull rrenash banale me të cilat shqyhen gazit edhe pulat e lagjes kur i dëgjojnë. Njeriu që ka ngritur Inkuizicionin në parti që në vitin 1992, s’mund të predikojë sot moderacionin.
Sali Berisha po përpiqet të arnojë disi faktin që nuk foli kur duhej, por vetëm kur i ra mbi krye halli amerikan. Në ndryshim nga Basha, ai arrin të përdorë të paktën një pjesë të mllefit që rrethon humbësin që drejton sot partinë. Duke krijuar kësisoj një masë kritike mbështetësish që mund ta rrezikojnë seriozisht pozitën e Bashës në javët e fundit të këtij viti.
Problemi i vërtetë i PD nuk ndodhet faktikisht tek kalorësi që do të arrijë të dalë i gjallë apo i vdekur nga kjo sfidë brenda llojit. Partia Demokratike do të jetë në çdo rast më e vogël, më e pafuqishme, më e ridimensionuar, cilido prej dy sfidantëve të fitojë.
Këto orë ka nisur të filtrojë brenda opozitës një ide e tretë, nëse mund të quhet kështu. Është ai zë arsyeje që del jashtë rreshtit të burokratëve brenda selisë, apo jashtë sallave plot urrejtje e sharje të Foltores, e që sheh me sy të lirë dhe pa shumë mundim se mbreti është lakuriq, cilado qoftë rruga që do marrë përplasja Basha-Berisha.
Zgjidhja e krizës së PD nuk vjen tek mbajtja gjallë e në krye të vendit e njërit prej dy shkaktarëve të rënies së saj në tetë vjetët e fundit. As Basha nuk e drejtoi partinë pa pyetur Berishën, as ky i fundit nuk firmosi e vulosi linjën që opozita ndoqi në këtë periudhë kohore. Berisha dhe Basha kanë qenë “zgjatimi” i njëri-tjetrit në parti pas vitit 2013. Ata janë aksionerë të pandashëm të kaosit ku është zhytur sot Partia Demokratike. Ka vetëm rëndësi periferike nëse njëri është më i fuqishëm se tjetri në këtë përplasje gjelash të lodhur. Qëndrimi i PD brenda qerthullit fatalist të dyshes Berisha-Basha, vetëm sa shtyn daljen nga gropa, duke shtuar kostot dhe afatet kohore të qëndrimit në opozitë. Në kushte të tilla rreshtimi me secilin nga humbësit është si t’i japësh shtysën një makine që është nisur tashmë drejt greminës.