Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Joe Biden u bëri thirrje bizneseve amerikane që t’i detyrojnë punëtorët e tyre të marrin vaksinën kundër koronavirusit. Biden tha se vaksinimi është një gjë jetike për t’i dhënë fund pandemisë dhe për të ruajtur ekonominë. “Me vaksinim, ne do ta mposhtim këtë pandemi. Pa të, ne përballemi me muaj të pafund kaosi në spitalet tona, dëme në ekonominë tonë dhe ankth në shkollat tona”, tha Biden.
Muajin e kaluar, Biden ka urdhëruar që të gjithë punonjësit federalë dhe kontraktorët të vaksinohen, ndërsa punëdhënësit privatë me 100 ose më shumë punëtorë të kërkojnë nga personeli që të vaksinohet deri më 8 dhjetor, ose të testohet çdo javë për koronavirus.
“Nuk ka asnjë mënyrë tjetër për ta mposhtur pandeminë përveç vaksinimit të shumicës dërrmuese të popullit amerikan”, u shpreh Biden. Në Shtetet e Bashkuara, sipas Qendrave për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve, mbi 186 milionë njerëz janë vaksinuar plotësisht kundër koronavirusit. Shifra përbën mbi 56 për qind të popullatës.