Disa fshatra në komunën Kelmend në Malësinë e Madhe në qarkun e Shkodrës, që me ndërtimin e rrugës së re me parametra të standardit evropian, kanë filluar të vizitohen në masë nga turistët e huaj dhe ata vendas.

Lëpusha dallon për nga peizazhi natyror si dhe nga investimet e bëra në fushën e turizmit.

Ministrja e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Frida Krifca gjatë një vizite në këtë fshat, përcolli bashkë me Verën, një prej banoreve të Lëpushës, interesin e shtuar që kanë pasur këtë vit vizitorët dhe turistët e huaj, për të eksploruar bukuritë e veçanta në bjeshkët e Lëpushës.

Kanë ardhur vizitorë nga Anglia që kanë eksploruar bjeshkët, shpellat, liqenet brenda shpellave, majat e kodrinave e të tjera zona të bukura, që nuk kanë fund. Ky vend është një thesar i pazbuluar, shprehet Vera. Teksa, fton qytetarët dhe vizitorët t’i bashkohen sot e nesër eventit N’Altitude Festival dhe të shijojnë edhe shumë aspekte të tjera tradicionale, natyrore që ofron kjo zonë.

Edicioni i parë N’Altitude Festival, përfshin zhvillimin e aktiviteteve të ndryshme që synojnë të sjellin më afër me vizitorët traditën dhe pasuritë natyrore të zonës.

Në fshatin Lëpushë, me mbështetjen e AZHBR-së janë ngritur shtëpi pritjeje(bujtina) që bëjnë të mundur strehimin e vizitorëve.

Lëpusha vlerësohet si bukuria e rrallë e natyrës së Kelmendit dhe si “perlë” e Alpeve Shqiptare. Male të larta me bllokun shkëmborë të Shenikut në Bjeshkët e Namuna dhe malet përreth. Shquhet për kullotat e gjelbra dhe pyje e dendur që harbojnë gjatë stinës së verës.

Fshati laget përherë nga përroi i quajtur Sheu i Lëpushës.

Dega kryesore e ekonomisë në zonë është blegtoria dhe bujqësia, por vitet e fundit po zhvillohet edhe agroturizmi. Përpunimi artizanal i drurit është një tjetër burim ndihmës për ekonominë e banorëve.

Lepusha është një vend i mrekullueshëm me potenciale për turizmin e natyrës dhe atë të aventurës.

Lepusha e Kelmendit, bukurinë e saj përrallore e ka në stinën e verës. Aty ndodhen bujtina që kanë përshtatur komoditetin për një turizëm gjithëvjetor. Fundjavat janë gjithmonë të rezervuara thonë pronarët e tyre. Ndërsa kjo zonë edhe në dimër tërheq mjaft vizitorë e turistë të huaj. Janë kryesisht ata që pëlqejnë ngjitjet malore,aventurën,sportet e borës dhe natyralistët.