Tetori po mbyllet me një bilanc edhe më negative se sa Shtatori sa i takon situatës së koronavirusit në vendin tonë.
218 qytetarë nuk kanë mundur të fitojnë betejën me koronavirusin përgjatë 30 ditëve të Tetorit, duke regjistruar kështu 18 jetë të humbura me shumë se në Shtator.
Edhe më tragjike bëhet situata kur shikojmë se përgjatë këtij muaji, viktima të Covid-19, kanë qenë një djalë 5-vjeçar, një grua shtatzëne dhe disa të rinj.
Edhe pse shifrat e të infektuarve të rinj me koronavirus kanë qëndruar të larta në dy javët e fundit, muaji Tetor ka regjistruar më pak raste të infektuarish se Shtatori.
14.756 raste të reja me Covid janë identifikuar në Tetor, ndërsa në Shtator kjo shifër ishte 24.278 persona. Pozitiv është fakti që numri i të shëruarve në Tetor ka qenë më i lartë se i rasteve të reja me Covid.
16,669 qytetarë ia kanë dalë të fitojnë betejën me virusin pandemik përgjatë këtij muaji.
Ndërkohë që kjo shifër në Shtator ishte 24.193 të shëruar, pra më e ulët se rastet e reja të infektuar përgjatë të njëjtit muaj.