25 Tetor- Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale Ogerta Manastirliu, në kuadër të fushatës për rritjen e ndërgjegjsimit të qytetarëve, për vaksinimit ndaj COVID19, ka publikuar mesazhin e shkrimtares së njohur Helena Kadare.
Në mesazhin e saj shkrimtarja Helena Kadare, vë theksin tek vaksinimi sa më parë i të rinjve, me qëllim mbrojtjen e shëndetit.
“Tërë jetën time kam qenë në krah të mendimit të të rinjve, edhe kur ai ka qenë ekstravagant apo në kundërshtim me logjikën ‘e pastër’. Sepse sido që të jetë ai, mendimi i rinisë, në të gjitha rastet është më i përparuari, është i lirë, i hapur, kurajoz.
Për herë të parë në jetën time të gjatë, gjithmonë pro tyre, mendimi im po bie ndesh me ta. Është vaksina kundër Covidit që na ndan.
Ne, të rriturit, i shpëtuam kësaj murtaje në sajë të vaksinës. Por, në nje bilanc të shkurtër, çfarë na duhet neve jeta pa nipërit e mbesat tona? Sepse tani vala po godet ata”, thotë në mesazhin e saj Kadare.
Duke apeluar për vaksinim ndaj COVID-19, Helena Kadare bën këtë thirrje:
“E kam të pamundur t’i gjej logjikën refuzimit të vaksinës prej tyre. Është njësoj si t’i thuash Jetës jo, në favor të mosqenies! Kaq e thjeshtë”.
Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale ka nisur një fushatë ndërgjegjësimi për të rritur me tej sensibilizimin për rëndësinë e vaksinimit ndaj COVID-19.