Monumentet kulturore të Gjirokastrës do të jenë prioritet i ministrisë së Kulturës edhe në këtë katër vjeçar. Ministrja Elva Margariti njoftoi ngritjen e një Task-Force ndërinstitucionale, si një përkujdesje më shumë për këtë zonë. Task Forca synon rijetëzimin dhe restaurimin e vlerave të trashëgimisë kulturore dhe vendosjen e tyre në shërbim të zhvillimit të turizmit.

‘Jemi këtu për fazën e parë të ngritjes së këtij projekti, të hartimit të projekteve për problematikat e ndryshme, të kemi një listë paraprake që nismat tona t’i shtrijmë përtej ministrisë. Ne do të kemi mundësi që punimet ti fillojmë në janar në mënyrë masive.’– tha Margariti.

E shndërruar në një kantier ndërtimi, investimet në zonën muzeale të Gjirokastrës synojnë transformimin rrënjësor të qytetit. Pavarësisht investimeve, shqetësim mbetet humbja e vazhdueshme e banesave të vjetra karakteristike si pasojë e braktisjes nga vetë pronarët dhe mungesës së investimeve për ruajtjen e tyre, duke rrezikuar peizazhin historik të qytetit.