Ambasadorja e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Shqipëri, Yuri Kim, së bashku me Ambasadorin e Bashkimit Evropian, Luigi Soreca, u takuan sot me Kryetarin e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Ilirjan Celibashi për të diskutuar mënyrat për të përmirësuar më tej zgjedhjet në Shqipëri.
Duke cituar raportin e fundit të ODIHR, ambasadorët Kim dhe Soreca shprehën vlerësimin për administrimin kompetent të zgjedhjeve të 25 prillit nga KQZ, njoftoi ambasada e SHBA.
Ambasadorët nënvizuan se tani është përgjegjësi e të gjitha institucioneve, autoriteteve dhe partive për të punuar me KQZ-në për të trajtuar rekomandimet e raportit përfundimtar të ODIHR-it.
Po ashtu, është thelbësore që autoritetet të hetojnë parregullsitë dhe të ndjekin penalisht krimet zgjedhore, përfshi blerjen e votave, kërcënimin e votuesve dhe përpjekjet e tjera për t’u mohuar votuesve të drejtën për të votuar të lirë, pa frikë, trysni apo joshje të paligjshme.
Shtetet e Bashkuara do të vazhdojnë të mbështesin me forcë të gjitha përpjekjet për të siguruar që zgjedhjet në Shqipëri të përmbushin standardet më të larta, në mënyrë që vullneti i zgjedhësve të respektohet plotësisht.