Ambasadorja e Shteteve të Bashkuara në Shqipëri, Yuri Kim u shpreh se, institucionet e sigurta demokratike janë të nevojshme për zbatimin e ligjit, zbatimin e reformës në drejtësi, për më pak korrupsion, më shumë investime të huaja dhe zhvillim ekonomik.
Duke folur në takimin e Institutit për vajzat dhe gratë në politikat e sigurisë kombëtare dhe ndërkombëtare, Kim tha se, “puna jonë në ambasadën e SHB-së në Shqipëri siç mund ta dini fokusohet në tri prioritete kryesore, mbrojtjen, demokracinë dhe biznesin. Por siguria është një fill i përbashkët që përshkon të gjithë këto përparësi. Institucionet e sigurta demokratike janë të nevojshme për zbatimin e ligjit, zbatimin e reformës në drejtësi, për më pak korrupsion, më shumë investime të huaja dhe zhvillim ekonomik. Prandaj kur shoh programin tuaj shikoj kaq shumë tema të rëndësishme, me të cilat përballen jo vetëm Shqipëria dhe Kosova, por edhe Ballkani, Europa dhe e gjithë bota”.

“Çështjet e sigurisë janë çështje me të cilat po përballen homologët tuaj në Uashington. Që nga ata që ne i njohim si institute dhe organizata jo fitimprurëse që merren me ekspertizat politike dhe i njohim ndryshe si “think-tank”, deri tek Shtëpia e Bardhë, Departamenti i Shtetit dhe Departamenti i Mbrojtjes. Të gjitha janë duke punuar aktualisht për këto çështje. Për këtë arsye ju bëj thirrje që të siguroheni që të merrni pjesë në diskutimet që do të zhvillohen”, tha Kim. Kim falënderoi pjesëmarrëset për “angazhimin ndaj këtij qëllimi të përbashkët për të çuar përpara sigurinë globale”.

“Ju përfaqësoni institucione të ndryshme publike dhe private në Shqipëri dhe Kosovë. Secila prej jush ka perspektiva të vlefshme për të ndarë. Europa dhe bota ka nevojë për perspektivat tuaja unike, por edhe për kontributet tuaja”, tha Kim duke iu drejtuar pjesëmarrëseve. Zv.ministrja e Mbrojtjes, Dallëndyshe Bici theksoi gjatë fjalës së saj se, “jam e bindur se ky moment do të mundësojë, jo vetëm një këndvështrim më pozitiv të rolit të gruas në fushën e sigurisë dhe të mbrojtjes , por dhe do të gjenerojë ide dhe projekte konkrete për një përfshirje të natyrshme dhe reale, të grave dhe të vajzave tona në këtë sfidë ambicioze”.

“E përshëndes punën tuaj edhe për faktin se ajo vjen në një realitet, i cili paraqet vështirësi për femrën shqiptare. Gratë dhe vajzat në këtë vend janë të parat që përballen me pasojat pozitive dhe negative në çdo ndryshim social, ekonomik, politik e kulturor të shoqërisë shqiptare. Sfidat e tyre në rolin e nënës, bashkëshortes, motrës, gruas, shoqes janë shpesh të papërballueshme për shpatullat e brishta të një gruaje. Mendoni pastaj sesa shumëfishohet kjo peshë me mungesën e ndihmës së shtetit, grupimeve intelektuale, organizatave dhe shoqatave të ndryshme. Të pjesës të shëndetshme të shoqërisë tonë në tërësi”, tha Bici.

“Edhe pse respekti ndaj gruas është një gur themeli i rëndësishëm i traditës dhe i konceptit shqiptar për familjen, ne përditë ligështohemi përballë lajmeve të dhunës ekstreme, pikërisht brenda familjes dhe prej njerëzve që duhet të ishin natyrshëm mbrojtësit e tyre më të mëdhenj”, theksoi Bici. Ajo u shpreh se, “ka vetëm një mënyrë për t’i dhënë fund dramës të tranzicionit të gjatë që po lodh deri në sfilitje pjesën më të brishtë dhe njëkohësisht më të fortë të shoqërisë tonë, gruan. Është një përpjekje realiste dhe jo vetëm e shkruar në letër për arsimimin, kualifikimin, trajnimin, shanset e barabarta të shtrira në mënyrë kapilare në shoqërinë tonë për integrimin dhe mbrojtjen e tyre. Çdo përpjekje në këtë drejtim krijon një grua më të fortë, më të pavarur, më të aftë për të përballuar sfidat e përditshme në një shoqëri me kontraste shumë të forta, siç është për fat të keq edhe shoqëria jonë shqiptare”.

“Duke u përqendruar tek roli dhe përfaqësimi i gruas në Forcat e Armatosura të Republikës së Shqipërisë, ndihem mirë, sepse gjykoj që është ëbrë një punë e jashtëzakonshme në vite për të krijuar një standard të pëlqyeshëm në këtë drejtim”, theksoi zv.ministrja Bici.