Komisioni për Punën Çështjet Sociale dhe Shëndetësisë kanë mbajtur sot në ambientet e QSUT një seancë dëgjimore mbi kancerin e gjirit, në kuadër të fushatës ndërgjegjësimit Tetori Rozë.

Zv/ ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale Eugena Tomini, ka deklaruar se është investuar në shtimin e mamografëve dhe është maksimalizuar përdorimin e tyre.

“Nga rreth 5000 mamografi çdo vit të kryera në 2014 kemi arritur në pothuaj 20,000 mamografi të kryera në vitin 2019. Edhe pse periudhë pandemie shërbimi i mamografisë ka qenë lehtësisht i aksesueshëm për të gjithë qytetarët.
Vetëm në katër vitet e fundit kemi investuar 1 million e 90 mijë euro për blerjen e 9 mamografive të reja të vendosura në spitalet Gjirokastër, Kukës, Durrës, Dibër dhe Vlorë (investim i vitit 2018), Lezhë (investim i vitit 2019) dhe Shkodër, Fier dhe Poliklinikën e Specialiteteve nr. 3 (investim i vitit 2021) duke garantuar akses, siguri dhe shërbim për të gjithë qytetarët afër vendbanimit”, deklaroi Tomini.

Duke folur për investimet në aparatura të teknologjisë së fundit, Tomini tha se falë investimit të qeverisë shqiptare teknikat të reja trajtimi po aplikohen nëpërmjet akseleratorit linear në vitet e fundit.
“Kemi kaluar nga trajtimi me aparaturën e vjetër të kobaltit e vetmja mundësi trajtimi deri në 2015 në trajtim bashkëkohor me akseleratorin linear, aparatura moderne e trajtimit radioterapeutik që përdoret sot kudo në botë. Me teknikat e reja që po aplikohen nëpërmjet akseleratorit linear, është përmirësuar trajtimi për të gjithë pacientët, por është bërë e mundur që të trajtohen për herë të parë në vend prej vitit 2019 edhe tumoret te fëmijët, të cilat nuk ishte e mundur të trajtoheshin më parë me radioterapi. Gjithashtu falë aplikimit të metodave të reja të trajtimit me radioterapi sot pacientet që vuajnë nga kanceri i gjirit trajtohen më mirë, pasi teknologjia e mundëson trajtimin më intensive sipas protokolleve ndërkombëtare, duke reduktuar kohën e trajtimit për gratë që vuajnë nga kanceri i gjirit. Janë rreth 245 pacientë me kancer gjiri që janë trajtuar në njësinë e radioterapisë në QSUT për 8 mujorin e vitit 2021 dhe rreth 1,559 pacientë me patologji të ndryshme të kancerit që kanë përfituar falas trajtimin me radioterapi për 8 mujorin e vitit 2021”, nënvizoi Tomini.

Tomini u shpreh se në 8 vite, u garantua mbulimi i linjës së parë dhe të dytë të medikamenteve për sëmundjet tumorale.

“Nga viti 2013 dhe deri në vitin 2021 në listën e barnave të rimbursueshme janë shtuar 29 barna të reja për mbulimin e sëmundjeve tumorale duke garantuar mbulimin nga skema e rimbursimit të mbi 7.500 pacientë të cilëve u garantohet rimbursimi i barnave nga buxheti i shtetit për trajtimin e 31 patologjis tumorale.
Nga viti 2013 kur për barnat që trajtoheshin pacientët që vuajnë nga sëmundjet tumorale buxheti alokonte vetëtm 8.7 milionë euro në vitin 2020 janë alokuar 21.5 milionë euro ose 147% më shumë për ti mos i munguar asnjë qytetari trajtimi sipas protokolleve klinike të miratuara në çdo stad të sëmundjes.
Në vit shpenzohen vetëm për kancerin e gjirit 1.1 miliard lekë nga të cilat 597 milion lekë në rimbursim dhe 503 milion lekë në barna spitalor.
Nëse në 2018 qytetarëve ju duhej të paguanin nga xhepi për marrjen e trajtimit me herceptinë prej vitit 2018 ky shërbim mbulohet 100% nga shteti i përfshirë në Skemën e Barnave me Rimbursim dhe prokurimin e barit për plotësimin e nevojave në shërbimin spitalor”, nënvizoi Tomini.

Aktualisht, në Shqipëri kanceri është shkaktari i dytë më i madh i vdekjeve pas sëmundjeve kardiovaskulare.
Ashtu si në botë edhe në vendin tonë, kanceri i gjirit përbën rreth 12 % të të gjitha rasteve të reja të kancerit në të dy gjinitë dhe 25 % të të gjitha rasteve të reja të kancerit tek femrat.
Bazuar në regjistrin kombëtar të kancerit, gjatë 5 viteve te fundit, në Shqipëri diagnostikohen rreth 6,000 raste të reja çdo vit me patologji të ndryshme kanceri.
Prej vitit 2014 janë standardizuar mbledhjen e të dhënave nga spitalet publike dhe private për rastet e reja me sëmundje tumorale të diagnostikuara prej tyre, duke krijuar një bazë reale të dhënash pranë Institutit të Shëndetit Publik.
Në vitin 2019 pati 224 vdekje (15.7 për 100,000 femra). Krahasuar me vitin 2015 kur vdekjet ishin 229 (vdekshmëria 16.1 për 100,000 femra) vërehet ulje prej 2%.
Nga ana tjeter shtrimet në spital lidhur me  kancerin e  gjirit për periudhën 2015-2019 janë rritur me pothuaj 30%; nga 4665 shtrime në vitin 2015 në 6626 në vitin 2019.